Letrat e bixhozit

May 18, 2011 | 10:17

ELSA BALLAURI

Janë dy çështje për të cilat dua të jap opinionin tim. E para lidhet me një aspekt të zgjedhjeve në Tiranë deri në përfundimin e tanishëm, ngjarje që u zhvillua nëpër skenat e shumta të rrugëve, lagjeve, shkollave të kryeqytetit; dhe e dyta, me të tjera pamje që u luajtën dje dhe që mund të vazhdojnë ende në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku deputetët socialistë u mblodhën për të pritur deklaratën e kryetarit të këtij Komisioni. Të dyja këto aspekte janë të lidhura në një të përbashkët: vota e individëve që votuan, por që gabuan në hedhjen e fletës së votimit në kutinë e duhur. Pikërisht këtu ka mbetur fryma e të gjithë shqiptarëve…
Me cilësinë e vëzhgueses dhe duke qenë në procesin e monitorimit të zgjedhjeve që prej fillimit, ky ishte një nga problemet më shqetësues që jo vetëm personalisht, por edhe së bashku me grupin e vëzhguesve tanë e hasëm që në orët e para të votimit në datën 8 maj. Ky shqetësim na bëri ta renditim këtë problem si një nga më të rëndësishmit në raportin e parë të shpërndarë në këtë datë. Të njëjtin shqetësim deklaruam edhe në media. Informacionet tona të marra nga qendrat e votimit ishin disi optimiste kur komisionerët shpreheshin se ata do t’i konsideronin fletët e ngatërruara, ose pesimiste kur ata thoshin se këto fletë janë të pavlefshme tashmë, ose mund të kontestoheshin. Në të dyja rastet, ky për ne mbeti një problem që duhej analizuar dhe diskutuar me seriozitet.
Me të njëjtin intensitet ky do të ishte për ne një problem serioz, edhe sikur diferenca e votave mes kandidatëve Rama dhe Basha të ishte shumë e madhe. Them serioz, sepse këto hollësi në një proces votimi janë shumë të rëndësishme për të implementuar me garanci të plotë gëzimin e së drejtës për të votuar dhe për t’u votuar.
Natyrisht që askush s’e priste që rezultati i fundit të ishte aq i afërt sa të mbetej puna në këtë diskutim. Në këto kushte, kur këto fletë mbeten mundësia e fundit e diskutimit për fitimtarin, ato nuk duhen trajtuar si ca letra të pavlera dhe pa asnjë kuptim për një proces të ndershëm dhe të drejtë, por natyrisht as si letra bixhozi që mund të manipulohen nga duart e shkathëta të ndonjë prestigjatori.
Një diskutim i tillë është bërë në zgjedhjet lokale të 2007-s, kur Komisioni i atëhershëm Zgjedhor nuk i pranoi fletët e kontestuara, megjithëse ndërtimi i strukturave të komisioneve ishte më i ndryshëm (nga KZAZ në KZQV dhe më pas në KQZ). Pavarësisht nga kjo, çështja duhej të quhej serioze dhe e hapur për t’u trajtuar më vonë si një gabim që s’duhej përsëritur. Në këtë rast, përgjegjësia e KQZ-së është shumë e madhe. Ajo jo vetëm harroi për një shqetësim të vjetër, por edhe nuk u kujdes që kutitë të mundësonin një informacion shumë të qartë dhe të drejtpërdrejtë që t’u krijonin zgjedhësve një proces të lehtë dhe të realizueshëm. Ngjyrat e afërta të fletëve të votimit u bënë shkak që një numër qytetarësh të ngatërronin kutinë.
Natyrisht që këtu kemi një të drejtë të rëndësishme që duhet diskutuar. E drejta e qytetarit për votën, e drejta e atij që voton dhe që votohet. Nga ana tjetër, një strukturë ligjore e caktuar (megjithëse neni 117 i Kodit Zgjedhor nuk e përcakton rastin e fletës së kontestuar si pavlefshmëri), nuk e jep lehtë dhe menjëherë mundësinë e realizimit të kësaj të drejte. Pra, në një balancë kemi dy të drejta të rëndësishme: e drejta e votës (ai që voton dhe ai që votohet) dhe e drejta për një proces ligjor të rregullt. Të dyja këto të drejta duhet ta ndihmojnë dhe jo ta eliminojnë njëra-tjetrën.
Në rastin konkret, KQZ, një organ i rëndësishëm që duhet të administrojë zgjedhjet, e bën situatën më të ndërlikuar duke mos deklaruar rezultatin e marrë sipas procesverbaleve të KZAZ-ve. Pavarësisht nga kontestimet, KQZ duhet ta shpallë rezultatin. Në këtë mënyrë nuk cenohet respektimi i ligjit. Por, ndërkohë, kushdo që mendon se i është shkelur e drejta e votës (ata që votojnë dhe ata që votohen si subjekte apo nëpërmjet partive), pas ankimimit administrativ (KQZ), e shpien ankesën në Kolegjin Zgjedhor.
Kjo është mënyra ligjore që mund të ndiqet për të treguar se duhet të ketë një respekt dhe ndjeshmëri politike për çdo votë qytetari dhe njëkohësisht për të treguar një shembull se rruga ligjore mund dhe duhet të funksionojë.
Në këtë kontekst do të kaloj pak në një trajtim më ndryshe të kësaj çështjeje, duke e parë atë në fokusin e asaj që i ndodh shoqërisë civile.
I dini reagimet që dëgjohen shpesh nga përfaqësues të shoqërisë civile? “Le ta zgjidhin vetë ata (d.m.th., politikanët), e gatuan kështu, le të bëjnë ç’të duan…”. Kjo është sa e vërtetë (kur kujtojmë se në çdo zgjedhje organizata të shoqërisë civile kanë reaguar me shumë profesionalizëm dhe kujdes dhe pothuajse asnjëherë nuk janë konsideruar), aq edhe e trishtuar (kur mendon se shoqëria civile e ndien më mirë veten të shkëputur nga lojërat e papastra politike, sesa e ndien veten pjesë aktive dhe e respektuar në shoqëri).
Shoqëria civile po punon e vetme dhe kjo nuk është shenjë e mirë për Shqipërinë e së ardhmes. Nëse kemi ndonjë politikan vizionar, jam e bindur se do të shqetësohej nga ky fakt…
Dje bëra një vizitë në zyrat e KQZ-së, ku ishin mbledhur deputetët socialistë. Dhashë një intervistë te Ora News, ku shpreha mendimin se një reagim i tillë i deputetëve nuk e ndihmon aspak klimën politike dhe shoqërore që është krijuar. Reagimet negative të politikanëve dhe militantëve te Ora News për këtë intervistë ishin të shumta.
Unë e di që shqiptarët nuk duan askënd që i kundërshton, që mund të vriten me njëri-tjetrin për shkak të bindjeve të ndryshme politike, por klima e krijuar, sidomos pas këtyre zgjedhjeve, kur shoh se asnjë individ i shoqërisë civile nuk merr mundimin të flasë sepse e di që do të etiketohet padrejtësisht nga politikanët dhe militantët, është një alarm që duhet të na trembë, të na bëjë të kuptojmë që përditë e më shumë po e mbytim demokracinë me duart tona.
Politikanët shqiptarë mendojnë se janë vetëm ata zotët e këtij vendi, se janë ata që mund të marrin vendime të drejta: çdokush që i kundërshton është armik dhe s’i duhet folur me gojë. Politikanët tanë nuk dinë të thonë më fal, nuk dinë të thonë të lutem. Marrëdhënia e politikës shqiptare me shoqërinë civile shqiptare është marrëdhënie lufte, nënvleftësimi ose kompromisi. Sepse ata nuk besojnë kurrë se në Shqipëri mund të ketë njerëz të pavarur, njerëz që nuk e shfrytëzojnë politikën, njerëz idealiste. Ata janë ngujuar në makutërinë e tyre dhe çdokush që është i ndryshëm, nuk e përfillin. Nëse e njëjta vërejtje u bëhet nga të huajt, ata (bëjnë sikur) e përfillin, i kushtojnë vëmendje dhe merren me të duke treguar gjithmonë e më shumë natyrën e tyre kompleksive dhe të paformuar politikisht.
Sidomos në situata të ngarkuara me tension humbjeje apo fitoreje, ata nuk mund të llogarisin dot se politika e mirë behet kur ka një bashkëpunim palësh dhe respekt reciprok. Se kemi nevoje për njëri-tjetrin për të ndërtuar mekanizmin e shtetit ligjor dhe demokratik dhe jo atë të gangsterëve.

© Panorama.al

Te lidhura