Zyrat e gjendjes civile dhe të kompanisë ALEAT kanë rritur ndjeshëm “masat e sigurisë” gjatë procesit të aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Pas ndryshimeve në procedurat e pajisjes me pasaportë biometrike, të urdhëruara nga Ministria e Brendshme me rekomandim të Policisë së Shtetit, masat janë shtuar edhe për aplikimet për karta identiteti. Sipas ligjit dhe rregullores së mëparshme, shtetasit shqiptarë mund të aplikonin në çdo zyrë të ALEAT në Republikën e Shqipërisë nga Vermoshi deri në Konispol, pavarësisht vendbanimit, mjaft që të paraqisnin informacionet e tyre të vërteta e të konfirmuara. Kjo procedurë ka ndryshuar prej më se një muaji. Zyrat e gjendjes civile dhe ato të kompanisë ALEAT, të cilat zakonisht janë ngjitur mes tyre në komuna e bashki, kanë marrë urdhër të prerë që të mos pranojnë aplikime nga personat që nuk janë banorë të komunës apo bashkisë ku paraqitet personi. Për shembull, nëse një student nga Korça, për arsye objektive kërkon të aplikojë për kartë identiteti në Tiranë, kjo procedurë nuk i lejohet edhe nëse paraqet gjithë dokumentet konfirmuese të identitetit të tij. Sipas burimeve nga Zyra e Gjendjes Civile, një masë e tillë është vendosur pas disa rasteve abuzive, kur shtetas shqiptarë nga Kosova janë paraqitur me patenta apo certifikata të rreme dhe kanë aplikuar për karta identiteti apo pasaporta biometrike. Këto fenomene, të cilët janë zbuluar nga policia u kanë djegur mundësinë edhe shumë qytetarëve të tjerë, që për një arsye apo një tjetër kërkonin të aplikonin në zyrat e ALEAT, jo pranë komunave apo bashkive ku ata banojnë.
Udhëzimi
Zyrat e aplikimit mësohet se kanë refuzuar në Tiranë dhjetëra raste studentësh nga rrethet, veçanërisht pas fillimit të vitit shkollor dhe akademik. Në nëntor të këtij viti, Ministria e Brendshme nxori një udhëzim ku vendoseshin procedura të reja në aplikimet për karta dhe pasaporta biometrike. Procedura e re parashikon paraqitjen e shtetasit në rajonin e policisë që mbulon vendbanimin e tij dhe depozitimin aty të një fotografie me përmasa 5×4. Fotografia në fjalë i bashkëngjitet formularit që bëhet në dy kopje dhe që plotësohet nga qytetari pas verifikimit të informacioneve të tij nga punonjësi i Policisë. Ky është momenti me të cilin është tentuar që të shmanget çdo lloj abuzimi i qytetarëve me aplikimin për pasaportë biometrike. Dokumenti që duhet të plotësojnë qytetarët në polici kur paraqiten për nisjen e procedurës, përmban disa opsione shënimi për emrin, mbiemrin, atësinë, datëlindjen, vendlindjen, adresën e saktë të shtetasit dhe numrin e telefonit. Më poshtë, formulari shprehet: “Deklaroj se të dhënat e paraqitura nga ana ime në këtë formular… dhe autorizoj kontrollin e vërtetësisë së tyre nga Zyrat e Gjendjes Civile dhe Policia e Shtetit”. Aplikimi për kartën e identitetit ka rëndësinë e vet pasi është procedura bazike në të cilën për herë të parë hidhen në sistemin e ri të gjendjes civile të dhënat e një shtetasi. Pajisja me kartë identiteti është gjithashtu parakusht për të aplikuar dhe për tu pajisur me pasaportë biometrike. Sipas rregullave në fuqi, karta e identitetit i dorëzohet shtetasit dy javë pas aplikimit në zyrat e kompanisë prodhuese ALEAT. Karta e identitetit përbën dokument identifikimi për shtetasin brenda vendit ndërkohë që me marrëveshjet e fundit është konsideruar edhe si dokument udhëtimi në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni. tr.so











