Në të gjitha rrugët e Tiranës qarkullojnë qentë “rrugaçë”, të cilët janë kthyer në burim sëmundjesh për qytetarët. Madje ata i sheh të shtohen gjithnjë e më shumë edhe në ambientet e spitaleve. Përveç kushteve të vështira, brenda godinave të QSUT-së janë të pranishme plehrat, kurse qentë e sëmurë qarkullojnë në të gjitha ambientet. Askujt nuk i bën përshtypje nëse përpara derës së Pediatrisë, ku shtrohen pikërisht fëmijët, tufa me qen zënë shkallët e as që u tremben aspak njerëzve të shumtë që kalojnë aty gjatë gjithë ditës. Me rritjen e temperaturave, këta qen rrugaçë mund të përhapin një sërë sëmundjesh të rrezikshme për qytetarët. Sëmundjet, si tërbimi, zgjebja, leshmanjoza mund të merren me anë të kafshimit, kontaktit me lëkurë dhe jashtëqitjes së këtyre kafshëve. Pavarësisht nga rreziku që ata përbëjnë, askush nuk kujtohet të gjejë një zgjidhje të mundshme për të shpëtuar ambientin dhe njerëzit nga këta qen të sëmurë. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik për vitin e kaluar, janë regjistruar në të gjithë vendin 116 raste me sëmundjen e leshmanjozës. “Pjesa më e madhe u përkasin zonave rurale, por nuk kanë munguar edhe rastet në Tiranë, ku kemi 4 raste për 2010”, sqarojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, pjesa më e madhe e të prekurve janë meshkuj, në 70% të rasteve.











