
TIRANE- Ndërsa festat e fundvitit po afrojnë, Bashkia e Tiranës ka nisur një aksion në tregjet e shitjes së lëndëve plasëse dhe helmuese.
Aksioni vjen vetëm pak ditë pas shpërthimit të një magazinë fishekzjarresh tek Tregu Ushqimor në Kombinat ku u dëmtuan shumë biznese dhe u rrezikuan shumë të tjerë.
Në njoftimin e saj Bashkia bën me dije se këto inspektime do të vijojnë në mënyrë periodike për të arritur një kontroll të plotë për standardet e sigurisë në tregtimin e këtyre lëndëve, për të garantuar jetën e qytetarëve.
“Aksioni është shtrirë në 4 pikat kryesore ku tregtohen këto produkte, siç është tregu çam, sheshi “Avni Rustemi”, tek Medreseja dhe më poshtë tek Stacioni i Trenit, 4 pika ku sistematikisht tregtohen këto produkte të rrezikshme, lëndë plasëse, ndezëse. Ne do të vazhdojmë kontrollet edhe për produkte të cilat kanë përbërje helmuese, kimike, insecticide, pesticide, në mënyrë që të rrisim standartin e shërbimit ndaj qytetarit të Tiranës dhe mbi të gjitha cilësinë dhe të sigurojmë jetën e tyre”, u shpreh Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi.
Në aksion po bashkëpunojnë strukturat e Zjarrfikësve si dhe të Policisë Bashkiake, ku ndër të tjera drejtori i Zjarrfikësve, Dilaver Laçi gjatë një prononcim për mediat tha se “pragu i vitit të Ri ka një rrezik të shtuar për fishekzjarrët dhe mjetet e tjera ndezëse. Për këtë arsye, në ditët në vijim do të ketë një kontroll më të rreptë nga ana e shërbimit Zjarrfikës dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, ndërkohë që edhe me Policinë Bashkiake ka një bashkëpunim shumë të mire”.











