Tri javë pasi pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu i Parë, ndërroi jetë, djali i tij, Leka Zogu II, i njohur si princi Leka, kërkon në gjykatë trashëgiminë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtarë të Gjykatës së kryeqytetit. Sipas burimeve, kërkesë-padia në fjalë është regjistruar pak ditë më parë në kryesekretarinë e Gjykatës. Në rolin e paditësit në këtë kërkesë-padi është Leka Zogu II, i cili kërkon të shpallet nga gjykata trashëgimtar i pronave dhe të drejtave të babait dhe paraardhësve të tjerë të tij. Në lidhje me objektin e saj u mësua së është “lëshim i dëshmisë së trashëgimisë ligjore”. Burimet ishin të rezervuara për sa i përket brendisë së përmbajtjes së kërkesë-padisë në lidhje me numrin e pronave të cilat do të trashëgohen. Dy ditë më parë, kërkesa i është nënshtruar shortit elektronik për përzgjedhjen e gjyqtarit që do ta shqyrtojë. Burimet thanë se trupi gjykues, e përzgjedhur për gjykimin e kësaj kërkese është gjyqtarja Anila Capo (Zere). Po sipas burimeve, bëhet e ditur se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të shqyrtimit të kësaj kërkese. Procedurialisht, kuptimi i trashëgimit, referuar nenit 316 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë është: “Trashëgimia është kalimi me ligj ose testament i pasurisë (trashëgimit) të personit të vdekur, një ose më shumë personave (trashëgimtarë), sipas rregullave të caktuara në këtë Kod”.
Vdekja e Leka Zogu I
Pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu i Parë, dha frymën e fundit mëngjesin e 30 nëntorit të këtij viti, duke e trashëguar statusin e “pretendentit për fronin mbretëror” te biri i tij, Princ Leka. Zogu I ndërroi jetë pas një qëndrimi disajavorë në gjendje të rënduar shëndetësore në pavionin Neurokirurgjik në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. “Sot, në orën 08:45, në klinikën e neurologjisë ka pushuar zemra e naltmadhënisë Leka Zogu I. Naltmadhënia pushoi së marri frymë nga vuajtja e zemrës dhe mushkërive”, tha atë ditë përfaqësuesi i oborrit mbretëror, Sulejman Gjana. Në nder të figurës së tij, ai u përcoll në banesën e fundit me një ceremoni shtetërore. Dita e varrimit të tij u shpall ditë zie kombëtare.
Topi dekreton tetë gjyqtarë të rinj në rrethe
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje emërimin e tetë gjyqtarëve në gjykatat e rretheve. Lista e magjistratëve të emëruar në detyrë nis me znj.Irena Plaku, e cila është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë. Kreu i shtetit ka firmosur me tej emërimin e Igerta Bengut si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, dhe magjistratin Arber Çela, si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Dekretet e Presidentit vijojnë me emërimin e Engert Pëllumbit, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, ndërsa Arta Burda u emërua gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier. Po kështu, Laurent Fuçia, është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, Florjan Kalaja, gjyqtar në Vlorë dhe Joana Qeleshi, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Armand Bajrami











