Qytetarët shqiptarë përcollën me një emocion të dyzuar trashëgimtarin e familjes mbretërore, Leka Zogu I, për në varreza të shtunën e kaluar, duke u përpjekur megjithatë t’i kthenin deri në një farë mase nderin asaj familjeje që është vendosur tashmë në bazat e shtetit modern shqiptar. Pas një diskriminimi afatgjatë ndaj saj prej komunistëve dhe një heshtjeje të njëanshme të historianëve shqiptarë lidhur me rolin e familjes mbretërore, vdekja e Leka Zogut riktheu në vëmendje më shumë se kurrë më parë rëndësinë e shkrimit të historisë fakt pas fakti. Më shumë se 70 vjet pas rënies së saj, mbretëria shqiptare sërish ka një shkëlqim përmes pluhurit, pra një shkëlqim opak, ku dallohet mjaftueshëm lavdia e po aq mjaftueshëm pengohet ndriçimi i saj në histori, por edhe te njerëzit që sot përmblidhen në konturet e asaj mbretërie të re europiane.
Kjo është arsyeja se pse qytetarët shqiptarë e përcollën pa mëdyshje e plot respekt, por të dyzuar emocionalisht. Për disa ishte Mbreti, për të tjerë ishte ish-mbreti, të tjerët e kishin pretendentin për fron, të tjerë e kishin princ, të tjerët asgjë më shumë sesa një qytetar i urtë i Tiranës, ndoshta ndër të paktët ish-pronarë me fat, të cilit i ishte kthyer edhe vila në qendër të saj. Kjo ishte më e lexueshme te politikanët shqiptarë, të cilët ndryshonin thelbësisht në tekstin e përdorur për ngushëllime. Kryeministri Sali Berisha i referohej me titullin fisnik që mbante Leka Zogu I, zyrtarët e PS-së gjëmonin kundër ceremonisë së varrimit të qytetarit Leka Zogu në Parlament. Por edhe nga Kosova vinte përmes telegramesh një pamje e copëzuar e raportit të tyre me familjen mbretërore shqiptare. Presidentja e Kosovës, Jahjaga, e quan Mbreti Leka, ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi e thërret atë qytetar i respektuar.
Kjo qartësi dhe paqartësi në të njëjtën kohë ka një konstrukt të fortë. Është e tillë, për sa kohë nuk kemi një përafrim të historianëve me realitetin e monarkisë në Shqipëri, jo për të restauruar atë sërish, por për t’i dhënë vendin e saj përgjatë procesit të ndriçimit të historisë. Në asnjë rast tjetër shqiptarët nuk kanë këtë mospërcaktim me këtë densitet kaq të lartë, sesa në rastin e monarkisë dhe monarkistëve shqiptarë. Shqiptarët as nuk janë të ndarë, e aq më pak të bashkuar, madje as nuk kanë klishe, por nuk kanë as përcaktim për periudhën e mbretërimit, për familjen mbretërore dhe rolin e saj në jetën e tyre të mëhershme apo të tashme. Krejt ndryshe nga sa ndodh me periudhën e perandorisë turke, atë të komunizmit apo me atë të tranzicionit demokratik, ku ndarjet janë të qarta, ku të kundërtat apo të kryqëzuarat shihen kthjellët, madje, edhe kur mbrohen, edhe kur akuzohen, veçse shihen edhe më qartë, ku edhe historianët, shkrimtarët, gazetarët apo politikanët ndihen si në shtëpinë e tyre të subjekteve.
Është fakt se Ahmet Zogu I i vitit 2011 është krejt tjetër nga Ahmet Zogu I vitit 1990, por ama është fakt se ky Ahmet Zog është shumë ndryshe prej atij të vitit 1928 apo 1939. Duket se të gjithë ata që vrasin pak mendjen për të përcaktuar mbretërinë shqiptare kanë qenë tek një okulist i keq, i cili meqenëse edhe ai vuante nga sytë, shumëzonte për dy diagnozën e pacientëve të tij.
Ndërkohë, ka pasur kohët e fundit një përpjekje për të rivlerësuar lavdinë e mbretërisë dhe familjes mbretërore. Por edhe kjo përpjekje, për shkak se vinte nga pushteti, u paragjykua. Në ditët e dhimbjes së monarkistëve për humbjen e Mbretit të tyre, nuk reshtën zërat se ceremonitë e nderimeve për të ishin një variant elektoral. Kjo ishte një shenjë tjetër se monarkia në Shqipëri nuk njihet mirë, ose të paktën edhe nëse ka dikë që e njeh, ai kompensohet nga ata që e njohin turbull. Si në rastin kur një ene të madhe me ujë të pastër i shtohet pak ujë i ndotur. Edhe nëse ka qenë elektorale, ceremonia nuk zbehet. Fundja ku ishte elektoralja në atë ceremoni, më shumë sesa në mendjet e atyre që e përcaktuan si elektorale?!
Por edhe më parë ka pasur përpjekje institucionesh për të respektuar pjesë të legjitimitetit të familjes mbretërore. Kuvendi i Shqipërisë e ka përfshirë atë në protokollin e shtetit, ia ka kthyer pronat, ndërsa më 1997-n verifikoi vullnetin e qytetarëve shqiptarë për monarki apo republikë. Ai referendum i diskutueshëm dhe i manipuluar nga ish-komunistët, megjithatë ishte një provë respekti për legjitimitetin. Mbi 50 për qind e votuesve shqiptarë morën pjesë në të, shumë më tepër se në referendumin për Kushtetutën një vit më vonë, duke shënuar edhe momentin më të kthjellët të qytetarëve të këtij vendi në raport me historinë.
Vdekja e Mbretit Leka I ishte ndërkaq edhe një rast për të dalluar ata që krijojnë histori mbi legjenda urbane si ajo e floririt të vjedhur. Që në vitin 1992 është verifikuar bilanci i arit në Bankën e Shqipërisë për periudhën që është larguar Zogu nga Shqipëria. Ai që ka bërë auditin është një ekonomist i njohur në Tiranë, i cili ka gjetur se nuk është prekur asnjë gramë ar i shtetit shqiptar. Ndërkohë që ende nuk dimë se çfarë ka ndodhur me arin shumë herë më të rëndë që regjimi komunist ua mori shqiptarëve për njëzet vjet rresht që zgjati shpronësimi. A ka audit për të?
Drita mbi mbretërinë shqiptare ka nisë të shfaqet fort. Nuk ka dyshim se ai institucion qëndron në themelet e shtetit tonë. Leka Zogu I, megjithatë ishte edhe Mbret. Duke e njohur mirë atë, mund të orientohemi më qartë për të njohur mirë vetveten.
© Panorama.al












