Lehtësohet akuza, Xhuvani në gjyq për vrasje nga vetëmbrojtja

Sep 23, 2011 | 12:00
Kostandin Xhuvani

Tiranë – Dërgohet në gjyq me akuzën e vrasjes në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme shtetasi Kostandin Xhuvani, i akuzuar për ekzekutimin e të riut Alfred Musabelliu, më 12 shkurt 2011, në Qytetin Studenti në Tiranë. I pandehuri, 22-vjeçari Kostandin Xhuvani, djali i deputetes së PS, Luiza Xhuvani, do të përballet në gjykatë me një akuzë më të lehtësuar se vepra penale që iu atribua në fillim të hetimit. Ndryshimi i akuzës nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes”, çka e lehtëson ndjeshëm pozitën penale të Xhuvanit, erdhi pasi ai u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës, ndërkohë që ishte në kërkim prej tre muash, pas vrasjes së ndodhur te Qyteti Studenti në Tiranë. Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatë, pasi prokuroria paraqiti provat e saj, Kostandin Xhuvani pranoi akuzën dhe shprehu pendesë për krimin. Ai gjatë vetëdorëzimit kishte treguar në Polici edhe armën e krimit, një pistoletë, me të cilën vrau Alfred Musabelliun. “Jam penduar për atë që ndodhi. Nuk doja kurrsesi që të ndodhte, por kur i pashë në dorë pistoletën që ia kishte drejtuar shokut tim, e kam shkrepur armën unë i pari dhe menjëherë më pas u pendova për atë që bëra”, ka pohuar Xhuvani në Gjykatë, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë. I akuzuar në këtë dosje është edhe shtetasi Albi Zela, i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, ndërsa ndaj tij është vendosur masa e sigurisë arrest me burg. Sipas burimeve nga Prokuroria, në vendin e ngjarjes ku mbeti i vrarë Alfred Musabelliu, është gjetur një predhë arme dhe një gjurmë gjaku. Sipas akuzës, edhe viktima ka pasur në dorë një armë, e cila nuk kryente qitje, por sipas hetimeve, Xhuvani nuk ka qenë në dijeni të armës lodër dhe ka menduar se rreziku ka qenë eventual. Me këto prova pretendohet të provohet fakti se në vendin e vrasje së Alfred Musabellit ka pasur një përleshje dhe Kostandin Xhuvani ka qëlluar me armë në kushtet e vetëmbrojtjes, cilësim që do ta lehtësonte ndjeshëm pozitën penale të tij.

© Panorama.al

Te lidhura