Agjencia e Pronave ka mbyllur dosjet e 42 pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Gazeta boton sot emrat e përfituesve të kompensimit financiar për pronën e zaptuar. Sipas Agjencisë së Pronave, paratë do të jenë të disponueshme në numrat e llogarive bankare të secilit aplikant në fillim të javës që vjen. Ndarja e përfitimit do të jetë në tri këste. “Pronarët përfitojnë kompensimin me këstin e parë, të dytë dhe të tretë, në masën prej 47% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave”, thuhet në njoftimin e AKKP-së.
Shuma e përgjithshme që shpërndahet është 89.3 milionë lekë. “Nga ky proces rezulton se përfitojnë një numër prej 120 pronarësh apo bashkëpronarësh”.
Të gjithë pronarët, të cilët kanë prona të zëna nga ndërtimet pa leje duhet të aplikojnë për kompensimin financiar pranë Agjencisë së Pronave. Kjo e fundit, pas kontrollit të dokumentacionit, vendos për dëmshpërblimin financiar për tokën e zënë. Ligji parashikon që, është vendimi i qeverisë ai që përcakton në fillim emrat e pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje dhe masën e kompensimit financiar. Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Financave, deri tani fondi i grumbulluar për kompensimin e pronarëve për tokat e zëna është rreth 616 milionë lekë.












