Ledion Liço për prezantimin e “Big Brother 8”: Duhet të bësh edhe punë që nuk i ke qejf

Feb 7, 2015 | 18:00


Pas shtatë vitesh që jemi mësuar të shohim Arbana Osmanin si moderatore të “Big Brother” në “Top Channel”, tashmë me tërheqjen e saj të përkohshme nga ekrani, prezantimin e këtij show e merr përsipër miku i saj i ngushtë, Ledion Liço. Ai ka mbyllur këtë edicion të “The Voice of Albania” dhe tashmë po përgatitet për një nga projektet më të rëndësishme të “TCH”, që pritet të nisë transmetimin në ekran në muajin mars. Për këtë spektakël, Ledioni ka marrë edhe bekimin e Arbanës, e cila me anë të një statusi në Instagram nuk e ka fshehur lumturinë e saj që “Big Brother” do të moderohet nga një prezantues i zoti si Ledioni. Por, nga ana tjetër, vetë Ledioni nuk ka shprehur ndonjë konsideratë për këtë format, ndaj e pyetëm se pse e pranoi këtë ofertë. ”Sepse ndonjëherë në jetë duhet të bësh edhe gjëra që nuk i ke shumë qejf, por që janë të nevojshme në mënyrën që projektet të dalin sa më mirë. Plus që nuk është se nuk e kam pasur qejf “Big Brother”, se e ndiqja gjithë kohës, por nuk e kam menduar ndonjëherë veten duke e drejtuar atë.”

Por se çfarë do të sjellë ndryshe në prezantim, në krahasim me Arbanën, ai shprehet: “Jemi të ndryshëm ne të dy në mënyrën se si bëjmë punën. Një gjë është e sigurt që unë do të jem politikisht më jo korrekt, pra do jem më vetvetja (qesh). Edicioni  i tetë i “Big Brother Albania” do të nisë transmetimin televiziv në fillim të marsit, në ekranin e “Top Channel”. Tashmë stafi është në fazën e audicionit, ku testimi i banorëve të ardhshëm të shtëpisë së vëzhguar do të përqendrohet tek aftësia e secilit prej tyre, për të fituar para dhe pushtet në këtë bashkëjetese 100-ditëshe. Burime nga produksioni na kanë informuar se këtë edicion banorët do të jenë në moshë madhore, në mënyrë që “lufta” mes tyre të jetë sa më e fortë për intriga, pushtet e para. Vlera e çmimit të madh do të jetë e njëjtë me vitet e mëparshme.  

© Panorama.al

Te lidhura