Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka deklaruara se shpreson që Shtetet e Bashkuara të shmangnin veprimet që mund ta përshkallëzojnw më tej konfliktin në Ukrainë, duke vënë në dukje se Donald Trump ka kohë që mbështet dialogun e drejtpërdrejtë me Moskën.
Në një intervistë me Corriere della Sera , e cila u botua më vonë nga agjencia ruse e lajmeve TASS, Lavrov tha se Trump ishte përpjekur “të kuptonte plotësisht qëndrimin rus ndaj Ukrainës” dhe kishte “treguar angazhim për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme paqësore”.
“Ne mbështetemi te logjika dhe se ky qëndrim do të mbizotërojë në Uashington dhe se veprimet që mund ta përshkallëzojnë konfliktin do të shmangen”, tha ai.
TASS raportoi se gazeta italiane refuzoi ta publikonte intervistën.
Sipas agjencisë ruse, Lavrov tha se Trump ka pranuar se një nga faktorët pas veprimeve të Rusisë ishte zgjerimi i NATO -s dhe zhvillimi i infrastrukturës së aleancës më afër kufirit rus.
“Në thelb, kjo është diçka për të cilën Presidenti Vladimir Putin dhe Rusia kanë paralajmëruar për 20 vjet”, tha ai.
Trump dhe Putin zhvilluan bisedime në Alaska në gusht, dhe Lavrov foli në telefon me homologun e tij amerikan Marco Rubio më 20 tetor rreth një samiti të ri të mundshëm, pas një telefonate midis dy udhëheqësve. Trump më vonë tha se e kishte anuluar takimin.
Lavrov akuzoi qeveritë evropiane për minimin e përpjekjeve për paqe. Evropa, tha ai, “saboton të gjitha përpjekjet për paqe dhe refuzon kontaktet e drejtpërdrejta me Moskën. Ata po vendosin sanksione të reja që po kthehen kundër dhe po i godasin ekonomitë e tyre edhe më fort. Ata po përgatiten hapur për një luftë të re të madhe evropiane kundër Rusisë”.
Ai vuri në dukje se Rusia do të ishte gati të rifillonte kontaktet me Evropën “kur të kalojë kjo histeri rusofobe “.
Udhëheqësit evropianë e kanë akuzuar Rusinë se po zhvillon një ” luftë hibride ” kundër vendeve të BE-së. Vendet e BE-së që mbështesin Ukrainën ranë dakord kohët e fundit për një paketë të 19-të sanksionesh dhe po diskutojnë mbështetje shtesë financiare për Kievin, qoftë përmes kredive ose përmes përdorimit të aseteve të ngrira ruse.
© Panorama.al












