Largohen helikopterët, vetëm 7 vatra zjarri aktive

Sep 6, 2012 | 19:40
Helikopteri slloven në ndihmë për shuarjen e flakëve

TIRANE- Bie ndjeshëm numri i vatrave të zjarrit në të gjithë vendin. Sipas ministrisë së Brendshme, numri i vatrave aktive është 7-të.

Sipas saj, sot kanë vijuar gjatë gjithë ditës operacionet ajrore, duke mundësuar kështu fikjen  e shumë vatrave të zjarreve.

Ndërkohë, helikopterët e ardhur nga Sllovenia dhe Italia janë larguar nga Shqipëria, kjo sipas MB-së, për shkak të vënies nën kontroll të plotë të situatës së zjarreve. Vazhdon të mbetet në dispozicion, për çdo situatë, avioni turk.

Situata e zjarreve sipas ministrisë së Brendshme

Qarku Dibër: Ka 3 vatra  zjarri aktive. Vatrat e zjarrit në “Liqeni i Bruçit” dhe “Liqeni Zi”, në Parkun Kombetar Lurë, si dhe zjarri në Kacni, komuna Selishtë, pas ndërhyrjes nga ajri në ditës së sotme prej avionëve janë izoluar. Gjithashtu avionët operuan edhe në vatrën tjetër në Gryka e Setës, në komunën Lurë. Vatra më problematike mbetet ajo në Zallë-Gjoçaj, Derjan, rrethi Mat dhe zjarri në “Luçan – Batër”, Martanesh.

Qarku Kukës: Ka 2 vatra zjarri aktive. Vatra “Rrethi i Bardhë”, në fshatin Kukaj, në afërsi të Valbonës dhe vatra tjetër në zonën e Qeremit, komuna Margegaj janë izoluar. Kurse vatra në fshatin Dragobi, po komuna Margegaj dhe vatra në Moraje, komuna Bujan, mbeten aktive.

Qarku Shkodër: Ka aktive 2 vatra zjarri, në rrethin e Pukës, një në fshatin Iballë, pranë komunës Iballë, ku gjatë ditës së sotme ka patur edhe ndërhyrje nga ajri dhe ajo në fshatin Dardhë, komuna Blerim, ku po punojnë aktualisht efektiva të ushtrisë, në bashkëpunim me komunitetin dhe shërbimin pyjor. Edhe në këto vatra ka patur  gjatë ditës së sotme ndërhyrje nga ajri dhe situata është më e përmirësuar ndjeshëm.

Në rrethin Shkodër, rreth orës 13:00, si pasojë e vetëtimave, është hapur një vatër e re zjarri në fshatin Zusë, komuna Ana e Malit, i cili është izoluar tashmë.

Qarku Korçë, nuk ka vatra zjarri. Vatra e zjarrit në fshatin Kamenicë, komuna Mollaj, është fikur plotësisht.

© Panorama.al

Te lidhura