Largimi i romëve, policia i fton të bëjnë denoncimet

Mar 12, 2011 | 13:15

Madje, për t’i ndihmuar oficerët e policisë gjyqësorë në lidhje me hetimin, policia i fton të gjithë romët që pretendojnë se janë kërcënuar dhe dhunuar, që të bëjnë kallëzim penal tek Komisariati nr.3, në mënyrë që të identifikohen dhe të arrestohen autorët. Ndërsa, për sa i përket largimit të romëve nga banesat e tyre, që aktualisht janë djegur, policia sqaroi dje se ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesin e komunitetit, madje duke i kërkuar që të mos shpërnguleshin nga vendqëndrimi i tyre, pasi policia do t’i vinte në ndihmë për çfarëdo shqetësim që do të kishin. Ndërsa përfaqësuesi i romëve, nuk ka ngritur pretendime në lidhje me punën e policisë, por ka deklaruar me shkrim mbi largimin me dëshirë të banorëve romë nga kjo zonë dhe zhvendosjen e tyre në rrethe të tjera.
KONFLIKTI
Në deklaratën për shtyp të ditës së djeshme, Policia e Tiranës u shpreh se ka zbatuar me rigorozitet, detyrimet që i ngarkon ligji  “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”. “Shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariati nr.3 Tiranë, me marrjen e dijenisë për një konflikti të ndodhur në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë, kanë mbërritur duke marrë masat dhe duke u dhënë ndihmën komunitetit rom të përfshirë në këtë konflikt. Nga kryeja e veprimeve, mësohet se konflikti midis komunitetit rom dhe banorëve të tjerë të kësaj lagjeje, ka nisur për motive të dobëta si dhe ka vijuar më tej për prishje të rendit dhe qetësisë publike, nga ana e banorëve të komunitetit rom”, deklaroi dje policia. Sipas burimeve, pas këtij konflikti, që mësohet të ketë ndodhur më 20 shkurt dhe 3 ditë të tjera rresht pas kësaj date, policia ka shoqëruar personat e përfshirë në konflikt dhe i ka marrë në pyetje, por nga ana e romëve, nuk është depozituar asnjë kallëzim penal për zjarrëvënie apo dëmtime banesash.
HETIMI
Policia e Tiranës deklaroi dje zyrtarisht se nisur nga incidentet e banorëve të komunitetit rom, aktualisht nga shërbimet e Komisariatit nr.3, po kryhen veprimet hetimore dhe proceduriale për “zjarrëvënie” dhe “dëmtime të pronës” së këtij komuniteti. Ndërkohë, policia u bën thirrje dhe i fton romët që të  paraqiten për të depozituar kallëzim penal, pranë Komisariatit nr.3 Tiranë, me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre veprimeve.

VENBANIMET AKTUALE

.    14 familje në Elbasan
.    2 familje në Durrës
.    5 familje në Berat
.    1 familje në Shkodër
.    7 familje në Selitë, Tiranë
.    5 familje te Bregu i Lumit, Tiranë
.    4 familje në zonën e Nish Tulla 3, Tiranë
.    1 familje në Kinostudio, Tiranë

“Plan masash emergjente për 45 familjet rome”

“Masa emergjente për mbështetjen e 45 familjeve rome të shpërngulura nga vendqëndrimi i tyre”. Këtë deklaratë bëri dje Ministria e Punës e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. I  Vënë në dijeni të ngjarjes së ndodhur në Tiranë, ky dikaster ka thirrur një takim të menjëhershëm me përfaqësuesit e strukturave shtetërore dhe shoqërisë civile, për të marrë informacion më të plotë rreth ngjarjes dhe gjendjes në të cilën ndodhen këto familje. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punës, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Social Shtetëror, Policisë së Shtetit, Komisionerit për Antidiskriminim, të shoqërisë civile dhe organizatave rome, UNICEFI-t, si dhe përfaqësues të komunitetit rom të shpërngulur. “Të gjithë pjesëmarrësit njëzëri dënuan ngjarje të tilla të dhunës, veçanërisht kur ato drejtohen ndaj individëve, apo komuniteteve të veçanta, duke u shprehur se dhuna me baza etnike, fetare, sociale, gjinore, etj. dëmton jo vetëm individin apo komunitetin ndaj të cilit drejtohet, por edhe vetë shoqërinë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punës. Krerët e këtij dikasteri kërkuan nga të gjithë pjesëmarrësit në takim dhe veçanërisht organizatat joqeveritare që asistojnë këtë komunitet, që në bashkëpunim me përfaqësuesit e komunitetit të paraqesin menjëherë një raport të detajuar të situatës dhe nevojave të këtij komuniteti. Ndërkaq, nga sa u bë me dije, përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit deklaruan angazhim të plotë në sigurimin e mbrojtjes për komunitetin dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë, me të siguruar denoncimin nga ana e të dëmtuarve.
Me të marrë informacion të plotë rreth situatës, strukturat  në bashkëpunim me UNICEF dhe organizatat joqeveritare do të nisin zbatimin e një plani emergjent ndihmash për këto familje.

© Panorama.al

Te lidhura