Lamtumirë profesor Hamit Beqja!

Sep 13, 2011 | 10:45

ROLAND QAFOKU

As zëri i tij radiofonik, as hapat e tij të rëndë që shoqëronin një trup të rëndë, nuk do të ndjehen më që nga 5 shtatori i këtij muaji. Profesori dhe akademiku Hamit Beqja ndërroi jetë çuditërisht duke u bërë edhe lajm befasues, por edhe një lajm që kaloi pa bujë. Tamam ashtu siç ishte jeta e tij: nga njëra anë plot ngjyra e vitalitet, por pa atë, siç e quante ai vetë “belullëkun” e të mburrurit.  Po çfarë ishte dhe çfarë la pas Hamit Beqja jo vetëm për ne që e kemi njohur nga afër? Vetë kujtimet e tij na vijnë shumë në ndihmë. Jo thjesht memuaret që na i rrëfente gjerë e gjatë në çdo bisedë e takim, por kujtimet që ai i la në një libër me titull “Gjurmë jete”. Dhe gjurma e jetës së Hamit Beqjes, pra kujtimet e tij, ishin si dy pika uji në krahasim me detin e njohurive. I jashtëzakonshëm në këtë drejtim: preciz, argumentues, logjik në ekstrem dhe kësaj duhet t’i shtosh një politesë që vetëm ai diti ta kultivojë. Aq sa ne gazetarët shpesh e mbanim për etalon dhe e përmendnim si sjellje prej Hamit Beqjes. Një kalorës i mirësjelljes, një kalorës i njohurive dhe, mbi të gjitha, një kalorës i psiko-sociologjisë shqiptare. Ishte gatuar dhe kultivuar kështu tërë jetën e tij që nga fëmijëria në rrugicat e Shkodrës, në mësimdhënie, në studimet në Bashkimin Sovjetik, në lojën e basketbollit, në studimet e pafundme, në pedagogji e sociologji. Dhe ne për një gjë jemi të sigurt, që dijet e thella që ai kishte i prodhonim një vetëpërmbajtje dhe një frenim që te rrallëkush e gjen.  Nuk përtonte kurrë dhe nuk dembelosej kurrë. As kur vitet i shtoheshin mbi supe, e as kur sëmundja e pleqërisë iu hodh në sulm. Por kurrë, ama, nuk e mposhti atë. Ai ishte unikal në këtë drejtim. Jetoi sa punoi, tamam si në proverbin që i madhi Gëte la në fund të jetës së tij. Plot fjalë të zgjedhura, plot mendime të vyera, për shumë vite ai ishte një referencë jo vetëm si psikolog, si sociolog, por edhe si një njeri i mençur që ia vlente ta pyesje për gjithçka që në kokë të ngatërrohej dhe të përplasej. Shtoi kësaj edhe më shumë se një duzinë me libra që ai shkroi e botoi, një pjesë e së cilave ishin të viteve të fundit. Një prodhimtar që unë në një shkrim timin në gazetën “Koha jonë”, dhjetë vjet më parë, e veçoja se “Hamit Beqja nuk rresht së shkruari”. Adhurues i Stefan Cvajgut dhe Eqerem Bej Vlorës, në kujtimet e tij ai nuk na sjell thjesht copëza dhe grimca jete se si u bë top i fatit të tij. Por se si një njeri, në mos i vetmi, nga të rrallët që deklaroi hapur se kishte qenë në shërbim të regjimit komunist dhe prej tij pësoi zhgënjimin e madh deri në dramë. Dhe këtë që ishte në shërbim të regjimit e thoshte vetë, me shkrim dhe me gojë. Dhe kush pra? Pikërisht ai liberali. Në fakt, jo thjesht liberali, por njeriu më liberal që mund të kishte sistemi komunist në aparatin e Komitetit Qendror të asaj kohe. Ashtu siç tregojnë bashkëkohësit e tij, një liberal që shuante dhe e dobësonte me ç’të mundte luftën e klasave që përplasej deri në idiotizmat e sistemit. Por, që këtyre tufaneve vetëm ai diti t’u rezistonte. Po si? Duke pasur një disiplinë prusiane, duke qenë i ndershëm dhe, mbi të gjitha, prestigji e shoqëronte ngado. Të gjitha këto i kaloi me beteja të gjata, por edhe të drejtpërdrejta me Kryeministrin 27-vjeçar Mehmet Shehu. Një njeri që profesor Hamiti e cilësonte kontradiktor dhe personazh të koklavitur. Një njeri që sa e sa andralla i solli. Apo direkt edhe me diktatorin Enver Hoxha, me incidentin plot famë qesharake kur gjoja i ngatërroi emrin, por në fakt hajde merre vesh se “ku donte të dilte”, thoshte shpesh profesori. Dhe të gjithave këtyre ai u vuri vulën kur në dhjetorin e vitit 1981 pësoi zhgënjimin më të madh në jetë, në atë që quhet vetëvrasje të Mehmet Shehut. Për profesor Hamitin kishte ndodhur kataklizmi. Një njeri autoritar si Mehmet Shehu, ideator dhe ideologu numër një i luftës së klasave, që shtrihej deri në farefisin e largët, befas pranon një fejesë të djalit të vet me një vajzë nga një familje që Mehmeti vetë e cilësonte armike. Dhe zhgënjimi i profesorit vazhdoi me diktatorin Hoxha, që si fillim e pranoi këtë fejesë, i shkoi edhe për vizitë dhe pas kësaj jo thjesht e hodhi poshtë, por e cilësoi Mehmetin Kryeministër për 27 vjet, poliagjent. Profesori Hamiti këtu pësoi jo vetëm një zhgënjim, por një goditje të idealizmit se sa ai sistem vërtet mbështetej mbi bazën e një ideali të pastër, por që kurrë nuk u zbatua si i tillë. Dhe, mbi të gjitha, zhgënjim më i madh për të ishte kur i mbyllën gojën në momentin kur ai interesohej për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Kosovar je ti?” – më thanë?”. “Jo, – iu përgjigja unë, – shkodran”. Ky dialog ishte plaga në zemër e profesorit.  Por jeta aktive e profesorit nuk ishte vetëm në vitet e komunizmit. Për gati 20 vjet ai ishte superaktiv me botime librash, artikuj dhe intervista në shtypin e ditës dhe atë periodik. Unë kam pasur kënaqësinë e veçantë që profesor Hamiti të mos ishte thjesht një bashkëpunëtor i imi kur unë drejtoja gazetën “Panorama” dhe “Tirana Observer”. Por ishte një njeri që me leximin që ai dinte t’i bënte gazetës, me vërejtjet e tij, me idetë e tij, të bënin që të kishte një sy më shumë vëzhguesi. Dhe një vëzhgues si Hamit Beqja, ama! Pra, ai ishte një mik special. Unë nuk kam njohur ende një shqiptar me atë kulturë të shkruari dhe të kultivuar të gjuhës shqipe dhe që kishte halë në sy gabimet ortografike. Nuk kam njohur njeri të kujdesej për fjalën, fjalinë dhe frazat si ai. Thjesht ishte i kultivuar në mënyrë të atillë që prej tij vetëm mësoje. Prandaj, sot që profesori nuk rron më, ne që e kemi njohur, por edhe familja dhe të afërmit, ndiejmë një boshllëk. Hamit Beqja nuk jeton më. Por krenaria dhe kënaqësia që ai ka dhënë me jetën që ka lënë pas, është një gjë shumë e madhe. Një gjurmë jete që vërtet la gjurmë. Ishte një psikolog dhe një sociolog sa një epokë. Te profesor Hamiti ne të gjithë kishim një model shumë të mirë për jetën tonë. Vërtet ai na mungon dhe do të na mungojë. Lamtumirë profesor Hamit Beqja!

© Panorama.al

Te lidhura