Lalën e zëvendëson një shqiptar te Hanoveri

Dec 13, 2011 | 14:02
Enis Alushi

Drejtuesit e skuadrës gjermane, Hanover 96, kanë shfaqur interes që gjatë janarit ta transferojnë mesfushorin kosovar të Paderbornit, Enis Alushi. Gazeta gjermane “Bild” të hënën ka shkruar se zyrtarët e Hanoverit e vlerësojnë Alushin si zëvendësues të mesfushorit shqiptar, Altin Lala, që pritet të largohet në janar ose më së largu në përfundim të këtij sezoni. Vetë 25-vjeçari ka thënë se është i kënaqur me interesimin e skuadrës nga Bundesliga 1. Ai nuk e përjashton mundësinë që të largohet nga Paderborni, që garon në Bundesligën 2. “Hanoveri është duke e vëzhguar Enis Alushin dhe ai shihet si një zëvendësues i mesfushorit Altin Lala”, – shkruante “Bild” të hënën. Ai vlerësohet ndër mesfushorët më të mirë në Bundesligën 2. Sezonin e kaluar, Alushi ishte ndër lojtarët e paktë që i kanë luajtur të gjitha ndeshjet nga fillimi. Ndërsa këtë sezon është i vetmi në Bundesligën 2 që nuk është zëvendësuar fare, i ka luajtur të gjitha ndeshjet nga fillimi deri në mbarim. “Ka gjasa që të largohem nga Paderborni, pasi kam shumë oferta të mira dhe ka interesim të madh për mua. Të zëvendësoj Lalën, do të ishte një nder”, – ka thënë Alushi.

© Panorama.al

Te lidhura