E sigurt që këta janë muajt e fundit të Altin Lalës si futbollit te Hanoveri. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare e ka theksuar disa herë që në fund të këtij sezoni do të tërhiqet nga futbolli i fushës, por dyzimi i tij i vetëm mbetet e ardhmja. I dashuruar me futbollin, Lala ka nisur pak vite më parë edhe një karrierë (akoma në fillesa) si biznesmen, por së fundi ai është tunduar nga një ofertë e drejtuesve të klubit për të marrë një post drejtues te Hanoveri. Një gjë të tillë e bën me dije vetë mesfushori shqiptar, gjatë një interviste për mediat gjermane.
Është grumbullimi juaj i fundit me Hanoverin, si ndiheni?
Nëse bëj llogari të gjitha grumbullimet që kam bërë, mund të them se jam i lumtur që “ua kam dalë” mbanë të gjithave. Sigurisht do më pëlqente që të stërvitesha mirë deri në fund të sezonit dhe të mos pësoj ndonjë dëmtim.
Je i trishtuar kur mendon se karrierës tënde po i vjen fundi?
Pak po, por edhe futbolli dihet që ka një fund. Natyrisht nuk do thosha të njëjtën gjë për grumbullimet të cilat mos i shikoni si piknik, sepse punohet shumë, ndaj kur mendoj këto ndihem i lumtur që karrierës po i vjen fundi.
Nëse kthehemi pas në kohë kujtojmë ndeshje mjaft të mira tuajat, por më pas erdhi dëmtimi, a menduat të linit futbollin?
Vendimin e mora disi më vonë, pasi u mendova mirë, kjo për faktin se futbolli i sotëm është në një nivel më të lartë, ndaj ndonjëherë nuk mjafton vetëm dëshira për të luajtur. Kështu që erdhi momenti që edhe unë të ndalesha, dhe bëra gjënë më të mirë.
Si do jetë e ardhmja e Lalës? Do merreni me futboll apo do i përkushtoheni biznesit?
Kam disa projekte, por do dëshiroja që të qëndroja gjithsesi në botën e futbollit. Kam nisur edhe të merrem me biznes, por më duhet ende të mësoj shumë gjëra, ndaj hë për hë nuk e di nëse në stadium do shkoj thjesht si tifoz.
Kemi dëgjuar se do të keni një takim me drejtuesit e Hanoverit.
Po, do të kem një bisedë me drejtuesit për të parë se çfarë do më ofrojnë. Dua që të merrem me një punë që të ketë sens dhe të më bëjë të ndihem i nevojshëm, gjithsesi për tani po mendoj vetëm të përfundoj sezonin, pastaj të shohim.
Si e shikoni fazën e dytë të kampionatit me Hanoverin?
Mund të them se kemi bërë një kampionat të mirë. Nëse do kishim qenë më të vëmendshëm në disa ndeshje, ose nëse nuk do të ishim ndëshkuar edhe nga ndonjë gabim arbitral, mund të ishim edhe më mirë. Gjithsesi, duke qenë edhe në Ligën e Europës mendoj se kemi bërë një pjesë të parë të sezonit mjaft pozitive. Të shpresojmë që do vazhdojmë me këto ritme, duke pretenduar vendin e tretë në renditje.
Cili është momenti më i mirë për Lalën gjatë fazës së parë?
Mund të veçoj ndeshjet me Seviljen, kur më pas u kualifikuam për më tej në Kupat e Europës. Por edhe ndeshja në shtëpi ndaj Kopenhagenit ka qenë një moment për t’u mbajtur mend.
Pas 14 vitesh te Hanover, cila është historia më e çuditshme që ka ndodhur gjatë grumbullimeve?
Oh, janë shumë. Më duhet të mendoj gjatë për të gjetur më të mirën, por më kujtohet për shembull kur Viniciusit (Bergantin Vinicius, lojtar brazilian i Hanoverit nga 2003-2010) i shkrepi në kokë që të gatuante një vezë me miell në kokën e Majkëll Gorgas (magazinieri i ekipit). Ishte shumë për të qeshur, por nga ana tjetër, kjo tregon edhe harmoninë që ka pasur gjithnjë në këtë skuadër.
LEONARD KARAJ











