Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e Erion Veliajt, i cili prej gati 3 muajsh ndodhet në qeli, si kryebashkiak i Tiranës.

Shkresa iu është dërguar kryetares së Këshillit Bashkiak, Romina Kuko, nga kreu i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti.
PD argumenton se Erion Veliaj mungon në detyrë prej 3 muajsh dhe kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 12 Maj, një ditë pas zgjedhjeve, për shkarkimin e tij sipas legjislacionit në fuqi.
Në ligj thuhet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur (pika c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore”
“Kërkojmë mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, më datë 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyrë të z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj”, shkruhet në dokument.
Kujtojmë që Erion Veliaj ndodhet pas hekurave që prej datës 10 Shkurt, pasi u arrestua në zyrën e tij në Bashkinë e Tiranës.
Kryebashkiaku ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ndërsa nuk është shkarkuar nga detyra pas prangosjes.
Postin e tij e ka marrë Anuela Ristani, kryetarja e komanduar nga Kryeministri Edi Rama.
Përmbajtja e dokumentit
Lënda: Kërkesë
Të nderuar.
Bazuar në Ligjin Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore, të ndryshuar, neni 62, shkronja e, që shprehet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur (pika c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3 mujore të pandërprerë ju bëjmë me dije se periudha 3-mujore e cituar në ligj përfundon këtë fundjavë. pasi ka filluar më datë 10 shkurt 2025 në ditën e arrestimit z. Erion Veliaj.
Si rrjedhojë, kërkojmë:
Mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, më datë 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyrë të z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj.
Duke ju falënderuar,
Ilir Alimehmeti
Kryetar i Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike
Ilda Zhulali
Nënkryetare e Grupit të Këshilltarëve të Partisë Demokratike

© Panorama.al











