“Rritet presioni ndaj Ramës”/ Fox News: Protestuesit shqiptarë mbushin rrugët duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit mes akuzave për korrupsion

Jun 22, 2026 | 9:01

Qeveria e kryeministrit socialist, Edi Rama, po përballet me presion në rritje, ndërsa protestat kundër saj vazhdojnë. Sipas një artikulli të publikuar nga media amerikane Fox News, demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, por edhe të kreut të opozitës, Sali Berisha, duke i konsideruar të dy kampet politike përgjegjëse për korrupsionin e akumuluar gjatë më shumë se tre dekadave pas rënies së komunizmit.

protestat per largimin e rames

Sipas raportimit, një nga arsyet që ka nxitur zemërimin qytetar është plani për ndërtimin e dy resorteve luksoze në bregdetin shqiptar nga investitorë të lidhur me biznesmenin amerikan Jared Kushner. Projekti, me vlerë disa miliarda dollarë, parashikon krijimin e rreth 10 mijë dhomave hoteli dhe vilave turistike në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.

Një prej lokacioneve të planifikuara është ishulli i Sazanit, ku ndodhet një ish-bazë ushtarake sovjetike, ndërsa projekti në Zvërnec ka ngjallur debate për shkak të afërsisë me peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë, habitat i flamingove, fokave mesdhetare dhe breshkave të detit.

Ish-ambasadori shqiptar në SHBA dhe OKB, Agim Nesho, deklaroi për Fox News se protestat nuk janë kundër familjes së presidentit amerikan apo investitorëve të huaj.

“Investitorët po sjellin rreth 4 miliardë dollarë në Shqipëri, duke krijuar vende pune dhe mundësi për të rinjtë. Problemi nuk janë investitorët, por mënyra se si është menaxhuar vendi nga qeveria aktuale”, tha Nesho.

Ai gjithashtu pretendoi se zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar nuk janë njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe se qeveria e Ramës ka fituar një shumicë që i mundëson ndryshime ligjore dhe kushtetuese.

Ndërkohë, gazetari Eric Czuleger, i cili jeton prej pesë vitesh në Shqipëri dhe ka ndjekur nga afër protestat, tha se qeveria fillimisht minimizoi numrin e protestuesve dhe më pas i cilësoi demonstratat si pjesë e një “lufte hibride” të nxitur nga aktorë të huaj.

Qeveria shqiptare ka mbrojtur projektet turistike, duke theksuar se ishulli i Sazanit mbetet pronë shtetërore dhe nuk do të shitet, ndërsa toka në Zvërnec është në pronësi private. Në një reagim për Fox News, qeveria deklaroi se ‘projektet do t’i nënshtrohen një vlerësimi të thelluar të ndikimit në mjedis dhe mohoi pretendimet se statusi i zonave të mbrojtura është hequr për t’i hapur rrugë investimeve’.

Megjithatë, sipas raportimit, Parlamenti Europian ka kërkuar së fundmi ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe vendosjen e një moratoriumi për lejet e reja të ndërtimit në këto territore.

Nga ana tjetër, Asher Abehsera, një nga drejtuesit e projektit në Sazan, deklaroi se synimi është krijimi i një destinacioni turistik të standardeve ndërkombëtare, me fokus te mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi ekonomik afatgjatë.

Ndërsa protestat vazhdojnë, organizatorët dhe pjesëmarrësit shprehen se kërkesa kryesore mbetet largimi i qeverisë aktuale dhe organizimi i zgjedhjeve të reja. Aktori dhe artisti shqiptar Florjan Binaj i cilësoi protestat si “më të mëdhatë që ka parë Shqipëria që nga viti 1991”, duke theksuar se do të vazhdojë të marrë pjesë në to.

Sipas protestuesve të cituar nga Fox News, korrupsioni i lartë dhe mungesa e llogaridhënies politike janë arsyet kryesore të pakënaqësisë qytetare, ndërsa ata kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme nën monitorim ndërkombëtar.

© Panorama.al

Te lidhura