Po ne kemi nevojë për lajme të mira. Nuk mund të tolerojmë më vetëm lajme që ndjellin frikë. Sot kemi lajme për kriza ekonomike, politike, shoqërore, familjare, identitare. Por kriza më e madhe sot është se ne nuk besojmë më se gjërat e bukura ndodhin, ose sepse besojmë se ato ndodhin vetëm kur i bëjmë ne. Gjërat e bukura ndodhin përditë, edhe pse përditë e bukura goditet e shëmtohet: bukuria e ngjizjes së një fëmije shëmtohet nga vullneti i dikujt për ta abortuar, bukuria e bashkimit të një burri me një grua në martesë shëmtohet nga marria e divorcit, bukuria e një familjeje shëmtohet nga egoizmi që nuk sheh përtej hundës, trokitja e një të varfri në dyert tona shëmtohet nga indiferenca apo pangopësia e grykësisë sonë. E bukura shëmtohet sepse ne e shëmtojmë. Gjërat e bukura e të vërteta ndodhin edhe pa ne, por e bukura është aq zemërgjerë, sa na pranon si spektatorë dhe si shijues të saj, edhe pse nuk jemi autorë të saj.
Ne kemi nevojë për lajme të mira, të bukura. Betlehemi është, në këtë natë që po vjen, vendi nga ku mund të marrim një lajm të mirë, nëse në qetësinë e natës aktivojmë veshët e zemrës sonë dhe ngulim sytë në një grazhd të varfër ku lind një fëmijë. Aty në atë grazhd gjendet një fëmijë pranë të cilit qëndrojnë dy prindër, një nënë dhe një babë, pra një familje. Në atë grazhd, larg dritave të qyteteve, zhurmës së makinave e të makinerive, pa darkë Krishtlindjeje, pa një tryezë të mbushur plot e përplot me ushqime, ndjehet zëri i një foshnje që nxjerr notat e para nga pentagrami i kordave të tij zanore. Ne kemi nevojë që ky fëmijë të lindë e të mos mbytet, megjithëse për sytë e njerëzve është fryt i një shtatzënie “të çuditshme”, që kjo familje të vazhdojë të jetë familje pa u gjunjëzuar nga vështirësitë nganjëherë të mëdha të jetës. Aty, në atë fshat të Palestinës së para dy mijë vjetëve, aty ku sot baruti ndizet hera-herës, lind Princi i paqes. Nga ai çast historia do të ndahet pas tij dhe para tij. Sa herë që një dokument a një letër do të shkruhet, do të mbartë një datë që tregon lindjen e tij, lindjen e Jezusit që quhet Emanuel (Hyji me ne).
Sot kemi nevojë për lajme të mira dhe nga Betlehemi i Judesë na vjen ky lajm i mirë: Hyu nuk e braktis njeriun, madje i bëhet krah duke ardhur ai vetë si një foshnje, i brishtë, i zhytur në brishtësinë e natyrës njerëzore dhe në natën e indiferencës së zotërinjve dhe priftërinjve të kohës.
Bukuria që shpaloset në grazhdin e Betlehemit është thirrja për kundrim që shoqëria jonë moderne e ka harruar duke u dhënë më shumë pas shijeve të individit, sesa pas objektivitetit të së bukurës, duke u dhënë më shumë pas çastit të kënaqësisë, sesa pas përjetësisë së gëzimit. Ajo është një bukuri e fshehur, pa shumë zhurmë e drita, pa shumë spektatorë, pa aroma parfumesh. Ka për ndriçues dritat e yjeve të qiellit, melodi është kënga e engjëjve, spektatorë janë disa barinj që ndodheshin aty pranë e parfum është aroma e kasolles ku rrinë edhe kafshët. E megjithatë, aty sonte mund të shohim një bukuri mahnitëse.
E bukura na jepet, por e bukura kërkohet dhe ajo është larg nga shkëlqimi i projektorëve, larg nga furrnaltat e industrive, larg nga konsumi i darkave madhështore. Ajo duhet të kërkohet në një grazhd që është ende sot pas dy mijë vjetësh, madje qysh nga përjetësia, më i bukuri grazhd i universit në të cilin Zoti dëshiron të zërë vend: zemra e njeriut. Ah, sa nevojë ka kjo zemra e njeriut për këtë banor të mrekullueshëm dhe sa dëshirë ka ky banor i jashtëzakonshëm të banojë aty! Nuk mëton një vend luksoz. Edhe pse mund të jetë e vrarë nga jeta, e plagosur nga dhembjet, e munduar nga lodhja, përsëri zemra e njeriut është vendi më i bukur ku Zoti dëshiron të ngulë banesën e tij. Sepse banesën e bën të bukur ai që e banon.
T’i japim zemrës sonë një lajm dhe një dhuratë të bukur në këtë natë që po vjen. A besojmë, a nuk besojmë, sonte përballë atij grazhdi nuk mund të rrimë indiferentë, sepse është një lajm vërtet i mirë që ai fëmijë lind. Sonte, nëse nuk i lë vend Zotit në zemrën tënde, mund t’i lësh vend së bukurës: lindjes së një fëmije, përqafimit të bashkëshortit a të bashkëshortes me të cilin je larguar e ke bërë fjalë, prindërve të plakur që presin një telefonatë a një vizitë, një miku a një mikeje me të cilin je prishur për arsye kot apo ndoshta edhe pse ke pasur të drejtë. Sonte secili nga ne ka nevojë për një lajm të mirë që t’i gëzohet zemra e të mos jetë i trishtuar.
© Panorama.al












