Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të SPAK, reagon Edi Rama: Do ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse

Dec 11, 2025 | 17:39

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pasi Prokurori Klodian Braho është zgjedhur sot drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke siguruar 7 vota pro në garë me tre kandidatë të tjerë.

klodian braho edi rama

Rama ka përgëzuar drejtuesin e ri të SPAK-ut, duke i uruar “punë të mbarë” në drejtimin e institucionit, ndërsa përgëzoi drejtuesin aktual, Altin Dumani, për të cilin tha se “meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij”. 

Ndër të tjera, kreu i qeverisë shprehet se SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet.

“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur  në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”, shkruan Rama në “X”.

LEXO EDHE: PROFIL/ U zgjodh kreu i ri i SPAK, dosjet e ‘nxehta’ që mbajnë ‘vulën’ e Klodian Brahos! Nga “Toyota Auris”, “5D-ja” tek hetimi për Arben Ahmetajn

Kujtojmë se Braho do të marrë detyrën më 19 dhjetor, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit, dhe do të shërbejë për një mandat trevjeçar.

Si votuan anëtarët e KLP-së për kreun e SPAK?

-Kryetar Mirela P. BOGDANI          -Klodian Braho

-Zv. Kryetar   Erind GËRMENJI      -Klodian Braho

-Anëtar  Erind MERKURI               -Adnan Xholi

-Anëtar  Erion FEJZULLA               -Elvin Gokaj

-Anëtar  Vatë STAKA                    -Adnan Xholi

-Anëtar  Moisi DUDA                   -Klodian Braho

-Anëtar  Olger EMINAJ               -Klodian Braho

-Anëtar  Ledina RIZA                 -Klodian Braho

-Anëtar  Arta MANDRO              -Klodian braho

-Anëtar  Sokol STOJANI             -Adnan Xholi

-Anëtar  Zeqir HODA                 -Klodian Braho

© Panorama.al

Te lidhura