I ka dhënë fund jetës në mjetin e tij 35-vjeçari Refit Buzi, i cili ditën e sotme vrau ish-vjehrrin, Kosta Plaku, plagosi ish-vjehrrën, Belere Plaka dhe mori peng ish-të fejuarën e tij në Rroskovec.

Sipas burimeve, ai ka qëlluar veten me armë zjarri teksa ndodhej prej rreth 8 orësh i rrethuar nga RENEA, të cilën i bën thirrje të dorëzohej. Ndërkohë autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë vendngjarjes.
Po ashtu, burime nga DVP Fier bëjnë me dije se ish-partnerja e Refit Buzit, Rozalinda Plaku, ka lënë ambientet e spitalit dhe ndodhet në komisariat, ku po merret në pyetje.
Njoftimi i policisë
“Roskovec, Fier/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se: Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Më herët gjatë ditës së sotme, prindërit e Refit (Nertil) Buzit, kanë reaguar për ngjarjen e rëndë, duke hedhur akuza ndaj familjes së vajzës dhe duke e lidhur konfliktin me një shumë parash të dërguara nga djali i tyre gjatë kohës që jetonte në Angli.
Sipas tyre, gjatë periudhës së bashkëjetesës, që ka zgjatur rreth 9 vite, djali i tyre i kishte dërguar para 24-vjeçares, ndërsa pas ndarjes i kishte kërkuar kthimin e tyre. Prindërit pretendojnë se familja e vajzës nuk ka pranuar t’ia kthejë shumën, çka, sipas tyre, ka çuar në përshkallëzimin e konfliktit.
Babai i autorit thotë se bëhet fjalë për rreth 180 mijë paund, ndërsa nëna shton se paratë i janë marrë vajzës nga familjarët e saj. “Djali ia dërgonte paratë Rozalindës. Diskutohet për 180 mijë paund”, u shpreh babai i autorit.
Sipas burimeve, 35-vjeçari ka përdorur edhe identitetin Nertil Buzi dhe ka jetuar për një periudhë në Angli. Ai rezulton se në vitin 2022 është mbajtur peng për 12 ditë në Angli, ku familjes së tij i është kërkuar një shumë prej 400 mijë paundësh. Policia po heton ngjarjen në dy pista kryesore konfliktin për paratë e dërguara nga jashtë dhe mospranimin e ndarjes nga ana e autorit.
© Panorama.al













