Janë zbardhur argumentet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, në të cilat kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas dokumentit të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, SPAK ka argumentuar se janë rënduar ndjeshëm nevojat e sigurimit, për shkak të rrezikut real që ajo të prishë provat, të ndikojë tek dëshmitarët dhe të kryejë vepra penale të tjera të ngjashme.
SPAK thekson se krahas hetimeve për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe, po kryhen hetime për fakte penale të tjera në ngarkim të Ballukut, në lidhje me disa procedura prokurimi, si dhe po hetohen veprimet e saj në një procedurë koncensioni.
“Po kryhen hetime për fakte penale të tjera në ngarkim të kësaj shtetaseje në lidhje me disa procedura prokurimi të tjera, si dhe po hetohen veprimet e saj në një procedurë koncensioni”, thuhet në shkesën e SPAK drejtuar Kuvendit, ku arsyeton kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimit të Ballukut.
Sipas SPAK, një nga arsyet kryesore për kërkesën e arrestimit lidhet me rrezikun e prishjes ose manipulimit të provave. Prokuroria e Posaçme thekson se gjatë hetimit po administrohen vazhdimisht prova nga institucione të ndryshme, ndërsa dokumentacioni kryesor ndodhet pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucion që drejtohet nga vetë Balluku.
Po ashtu, prokuroria nënvizon se po merren në pyetje dëshmitarë të ndryshëm, përfshirë zyrtarë dhe vartës të drejtpërdrejtë të saj, çka, sipas SPAK, e bën gjendjen e saj të lirë një rrezik real për mbledhjen dhe vërtetësinë e provave.
“Gjendja e lirë e të pandehurës, paraqet rrezik real në mbledhjen e provave, për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron, si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ekziston mundësia që ajo mund të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen ose asgjësimin e provave apo në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave. Eshtë evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek deshmitarët”, argumenton SPAK.
SPAK ngre gjithashtu shqetësimin për rrezikun e largimit të saj, duke argumentuar se kjo lidhet me marzhin e lartë të dënimit të parashikuar nga ligji për veprën penale që dyshohet, si dhe me faktin se ajo dyshohet se e ka kryer këtë vepër disa herë dhe në bashkëpunim.
“Ekziston rreziku i largimit të të pandehurës, nisur nga marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që dyshohet si dhe pasur parasysh rrethanën se këtë vepër penale dyshohet se e ajo e ka kryer disa herë dhe në bashkëpunim”, thotë SPAK, ndërsa shton se “ekziston rreziku që ajo të kryejë krime të të njëjtit lloj me ate për të cilin po procedohet”.
Pjesë nga kërkesa e SPAK në Kuvend:
Ndodhur në këto kushte, vlerësohet se ekzistojnë kushtet dhe kriteret për zëvendësimin e masave të sigurimit.
Pasur parasysh parashikimet e neneve 228, 229, 230, 237, 238, 260 të Kodit të Procedurës Penale, vlerësojmë se, pas momentit të caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim dhe të pandehurën Belinda Balluku, pasi:
Po kryhen hetime për fakte penale të tjera në ngarkim të kësaj shtetaseje në lidhje me disa procedura prokurimi të tjera, si dhe po hetohen veprimet e saj në një procedurë koncensioni;
-Ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës (Sjellim në vëmendje se vazhdimisht gjatë këtij hetimi administrohen prova nga institucione të ndryshme, dokumentacioni kryesor gjendet pranë Institucionit Qëndror që drejton vetë kjo shtetase, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pyeten dëshmitarë të ndryshëm, si persona zyrtarë, vartës të kësaj të pandehure etj.). Gjendja e lirë e të pandehurës, paraqet rrezik real në mbledhjen e provave, për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron, si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ekziston mundësia që ajo mund të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen ose asgjësimin e provave apo në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave. Eshtë evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek deshmitarët;
Largimi i të pandehurës ose rreziku që ajo të largohet (Ekziston rreziku i largimit të të pandehurës, nisur nga sankstani dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që dyshohet si dhe pasur parasysh rrethanën se këtë vepër penale dyshohet se e ajo e ka kryer disa herë dhe në bashkëpunim);
Rreziku se e pandehura për shkak të rrethanave të faktit dhe të personalitetit të saj, mund të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet (Për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit te te pandehures, duke qene ne ushtrimin e funksioneve të saj, për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ajo të kryejë krime të të njëjtit lloj me ate për të cilin po procedohet. Sillet në vëmendje se po hetohen disa procedura prokurimi dhe se e pandehura menaxhon në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera, të parashikuara për Institucionet Qendrore që ajo drejton).
© Panorama.al











