Arrestohet një tjetër i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Mondi Hëhalla, në pranga 33-vjeçari. Dyshohet se ka qenë ekzekutor (EMRI)

Dec 3, 2025 | 9:09

Policia ka vënë në pranga një tjetër person të dyshuar për përfshirjen në ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 30 nëntorit në Elbasan. 

Viktima Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka

Arrestimi është kryer në Përrenjas, ku u kap 33-vjeçari Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë në vrasjen e shtetasit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se arrestimi i tij u bë në kuadër të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.

Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vrasjes dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.

Ndërkohë vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar në ekzekutim.

LEXO EDHE: FOTOLAJM/ U ekzekutua para biznesit të tij, publikohen pamje nga momenti i vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan

 

LEXO EDHE: EMRAT- Ekzekutimi e biznesmenit në Elbasan, policia zbardh krimin, arrestohen bashkëpunëtori dhe roja i karburantit! Automjeti që u përdor në krim i përket…

Dje u arrestuan ish ortaku dhe roja i karburantit 

Ndërkohë po dje u vunë në pranga dy persona, ish ortaku i Mondi Mëhallës, Xhino Ago 32 vjeç dhe roja i karburantit Kujtim Pisha. Ndërsa dy persona të tjerë u shpallën në kërkim, ata janë Marselo Arani dhe Armando Kola.

Xhino Ago 32 vjeç eshte bashkepunetori i biznesmenit të vrarë, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërsa Kujtim Pisha 52 vjeç roja e karburantit akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit  Xhino Ago, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit Marselo Arani.

Makina e përdorur nga autorët e vrasjes, që dyshohen 32-vjeçari Marselo Arani dhe 35-vjeçari Armando Kola të shpallur në kërkim, rezulton në pronësi të vetë ortakut të viktimës.

Ndërsa blutë kanë gjetur dhe sekuestruar si automjetin tip Audi të përdorur nga killerat, po ashtu edhe armën e krimit, me të cilën u ekzekutua me dy plumba në kokë biznesmeni.

Policia informon gjithashtu se gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

“Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje. Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR. Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të Xhino Agos, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje Marselo Aranit”, thuhet në njoftim.

Ekzekutimi i 43-vjeçarit Mondi Mëllaha, dyshohet se ka të bëjë me mosmarrëveshjet për ndarjen e normës së fitimit në biznes me ish ortakun e tij Xhino Ago.

LEXO EDHE: Ekzekutimi i Mondi Mëhallës për ndarjen e fitimeve në biznes, detajet nga ekzekutimi i 43-vjeçarit nga ortaku i tij

 

Njoftimi i policisë dje (3 dhjetor)

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 43-vjeçarit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.

Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët.

Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 

© Panorama.al

Te lidhura