Një prej qytetareve protestuese që mori fjalën nga podiumi para Kryeministrisë, tha se ky është revolucioni i rinisë dhe “Gjeneratës Z”, që kërkon largimin e klasës së vjetër politike dhe veçanërisht dyshes Rama-Berisha.
Ajo falënderoi të gjithë ata qytetarë që sakrifikonin dhe mes shumë problematikave nuk dorëzoheshin duke iu bashkuar protestës.
“Ky është revolucioni i rinisë, i Gjeneratës Z. Falenderoj të gjithë ata qytetarë që janë mbledhur këtu dhe e mbështesin këtë Gjeneratë Z. Në kërkojmë dorëheqjen e qeverisë. Falenderojmë ata që lënë punën dhe vijnë në protestë, për ata që vijnë nga rrethet, për ata që janë hequr nga puna dhe vijnë këtu në protestë”, tha ajo.
Më tej qytetarja i bëri apel publik Berishës dhe Ramës që i pari të lironte PD-në dhe tjetri kryeministrinë, duke bërë hap pas, për t’i hapur rrugë rinisë.
“I drejtohem atyre dy të parlamentit shqiptar, Edi Rama dhe Sali Berisha, po sikur ju të bëni një hap mbrapa, asgjë s’do të ndodhte, ndaj jepeni dorëheqjen që të dy. Ato para që keni mbledhur a do ia vlejnë juve pafajësinë, jo nuk do ja vlejnë. Ndaj ne ju themi, Rama jep dorëheqjen, Berisha bëj hap mbrapa, liroje PD-në. Ka nevojë për brezin e ri. Rroftë Shqipëria, poshtë Komunizmi”, përfundoi ajo.
© Panorama.al












