Kuzhe këshillon De Biazin: Mos bëj gabimet e mia

Dec 23, 2011 | 12:16

Është larguar që prej 18 tetorit nga drejtimi i Kombëtares shqiptare (“de fakto”, pasi “de jure” është në kontratë me FSHF-në deri më 31 dhjetor 2011), por nuk nguron ta kthejë kokën. Thotë se ka mësuar nga mediat emrin e pasardhësit të tij në drejtim të kuqezinjve, por nuk e njeh aspak De Biazin. Sakaq, pa ndonjë keqardhje, madje me goxha xhentilesë, ish-trajneri kuqezi, Josip Kuzhe, i jep këshillat dhe sugjerimet e fundit italianit, duke shpresuar që ai nuk do bëjë të njëjtat gabime që bëri kroati, sidomos gjatë vitit 2011. “Nuk e njoh as personalisht dhe as si trajner Xhani De Biazin, pasi nuk më ka rënë rasti që të përballem me atë. Nga ana tjetër, mund të them se përveç faktit që është italian dhe vjen nga një vend me shumë traditë në trajning, asgjë tjetër më shumë nuk mund të them për të. Besoj se presidenti Armand Duka e ka menduar mirë më përpara dhe ka bërë zgjedhjen e duhur për Kombëtaren shqiptare. Sakaq, nëse do isha në një tavolinë me atë tanimë do t’i kisha thënë shumë, shumë gjëra, nga duhet t’ia nisë për të pasur sukses në drejtim të Kombëtares shqiptare. Gjithsesi, pikë së pari do t’i sugjeroja që të bënte një plan të detajuar me personat që ka pranë dhe me Federatën. Kjo jo vetëm për momentin, për kualifikimet e Botërorit, por edhe për më tej. Së dyti, duhet me patjetër që të piketojë minimalisht 25 lojtarë. E mira do ishte që të kishte 30 lojtarë në dispozicion para nisjes së kualifikimeve, nga ku të mundohej që t’i bënte herë pas here pjesë të ekipit, pasi dihet që në një grumbullim nuk shkojnë më shumë se 22-23 lojtarë”, ka pohuar ish-trajneri kroat i ekipit tonë përfaqësues, Josip Kuzhe.

De Biazi/ “Lojtarëve ‘ua qep’ fanellën kuqezi”
Xhiani de Biazi, duke iu përkushtuar totalisht Kombëtares shqiptare ka pohuar se do formojë një grup lojtarësh, të cilët do t’i japin rezultate që ai pretendon të marrë në drejtim të kësaj skuadre. Në një intervistë për “Supersport Neës” tekniku italian ka treguar se mezi po pret të fillojë punën. “Dëshira ime ishte që të drejtoja një përfaqësuese dhe kjo dëshirë më është realizuar. I kam të qarta në kokë idetë që dua t’u transmetoj lojtarëve të Shqipërisë dhe kryesorja është që luftojnë 100% për fanellën. Lojtarët e ndiejnë përkushtimin ndaj Kombëtares më shumë se ndaj klubeve, ndaj edhe synimi im është që t’u qep futbollistëve të mi fanellën kuqezi në trup”, tha tekniku.

© Panorama.al

Te lidhura