Kuzhe: Gati për Bosnjën, por Leo Mesi më frikëson

May 18, 2011 | 10:46

Josip Kuzhe është i qetë në prag të sfidës vendimtare me Bosnjën më 7 qershor dhe thotë se kjo ndeshje nuk do të vendosë për të ardhmen e tij në krye të kuqezinjve.Trajneri i Shqipërisë nuk e mohon se është disi i emocionuar, pse jo edhe i frikësuar që do të luajë kundër Argjentinës, por gjithsesi, primare për të është që të marrë një rezultat pozitiv në stadiumin e nxehtë të Zenicës më 7 qershor.
Mister, a jeni i informuar për gjendjen e lojtarëve të Kombëtares para ndeshjes me Bosnjën?
Po, sigurisht që po. Jam përpjekur të jem gjithnjë në dijeni se në ç’gjendje janë, sa kanë luajtur, si janë fizikisht, madje, edhe si janë psikologjikisht. Mendoj se pjesa dërrmuese e skuadrës është në gjendje të mirë dhe kjo është shumë pozitive.
Listën e lojtarëve që do të grumbullohen e keni bërë gati dhe nëse po, a mund të na thoni nëse do të ketë ndonjë surprizë?
Unë e kam gati një listë dhe mendoj se, përafërsisht, do të jenë të njëjtët lojtarë që janë grumbulluar edhe në ndeshjet e fundit. Megjithatë, unë mendoj se lista do të publikohet më vonë. Sa i përket emrave të rinj, mund t’ju them se nuk do të ketë surpriza, pra nuk do të ketë ndonjë prurje të re në ekip.
Në skuadër do të rikthehen Dallku me Currin, a mund të ndikojë kjo në formacion, apo qoftë edhe në listën e lojtarëve?
Po, mendoj se kthimi i tyre mund të ndryshojë disa gjëra, por për mirë sigurisht. E theksoj, se rikthimi i tyre në ekip është një gjë shumë shumë e mirë. Curri dhe Dallku janë dy figura të rëndësishme të ekipit tonë kombëtar, dhe dy lojtarë që arrijnë të përshtaten në role të ndryshme.
Pas fitores me Bjellorusinë thatë se edhe kundër Bosnjës do të luanit në sulm….
Shikoni, që të fitosh duhet të shënosh, dhe për të shënuar duhet të sulmosh. Megjithatë, duhet pasur edhe mentaliteti i duhur. Unë e theksoj edhe njëherë se qëllimi im është ta fitoj këtë ndeshje. Ne kemi potencialin për ta bërë një gjë të tillë dhe do të luftojmë për këtë.
A e vendos kjo ndeshje të ardhmen tuaj?
Jo, nuk besoj. Unë kam një kontratë deri në fund të edicionit, mendoj se kjo ndeshje nuk do të ketë ndonjë efekt në të ardhmen time. Të paktën jo ndonjë efekt thelbësor.
Cili është komenti juaj për miqësoren me Argjentinën?
Është një eveniment i madh për Shqipërinë, për mua si trajner, për lojtarët dhe për tifozët. Unë mendoj se është diçka speciale, e cila duhet kthyer në një festë. Shpresoj të bëjmë një paraqitje dinjitoze.
Çfarë menduat në momentin e parë që ju thanë se do të luanit kundër Argjentinës?
Nuk e di, pata një përzierje ndjenjash. U gëzova në fillim. Mua më pëlqen gjithnjë që të luajmë ndeshje në kohën e lirë dhe kjo më pëlqeu. Më pëlqeu edhe fakti që do të luanim kundër një skuadre të madhe si Argjentina, por më pas, edhe u frikësova disi. Unë mendoj se për çdo trajner do të ishte disi e frikshme të përballesh me një skuadër të mbushur me fenomenë dhe me shumë traditë. Megjithatë, unë nuk mendoj se do të shkojmë atje për të humbur. Përkundrazi, do të përpiqemi të improvizojmë diçka.
A keni menduar për ndonjë çast se si duhet ta ndalni Mesin?
(qesh) Unë mendoj se lojtarët e nivelit të tij duhet të dublohen gjithnjë nga dy vetë, por Argjentina ka shumë yje, ndaj është praktikisht e pamundur. Gjithsesi, unë them se është mirë që të mendojmë njëherë se si duhet të ndalim Xhekon.

 

Jetmir Halilaj

© Panorama.al

Te lidhura