“Kuzhe e Kombëtarja s’kanë trukuar”

Jan 24, 2012 | 12:59
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka mohuar në mënyrë kategorike që ish-trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, të ketë trukuar ndeshje. Sipas tij, nuk ka asnjë shans që kuqezinjtë të jetë të implikuar në të tilla afera. Njëshi i FSHF-së ka qenë prezent dje në hapjen e Seminarit të Arbitrave, i cili organizohet nga Federata dhe FIFA. Me këtë rast ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar nga goja e presidentit të FSHF-së, mbi zërat se ndeshje të Kombëtares janë trukuar nga mafiozë grekë, të cilët, nga përgjimet e dala në shtetin fqinj, rezulton se kishin komunikim edhe me ish-trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe. “Asnjë ndeshje nuk është trukuar nga Kombëtarja shqiptare e futbollit. Është e pamundur që ndeshjet të jenë trukuar nga ish-trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, pasi ai nuk luan futboll. Unë shpreh besim të plotë te skuadra kombëtare, sepse nuk kam asnjë dyshim te lojtarët për trukime të ndeshjeve. Është gjithashtu e patolerushme që të baltoset ekipi kombëtar, i cili nuk është as i Federatës dhe as i Dukës, por i gjithë shqiptarëve. Nuk duhet assesi që për thashetheme të tilla të dilet menjëherë në konkluzione”, pohoi presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Duka, kundër Berishës për stadiumin
Presidenti i FSHF-së ka reaguar edhe ndaj deklaratës së tri ditëve më parë të Kryeministrit Sali Berisha për çështjen e stadiumit. “Nuk është e vërtetë që kemi ndryshuar vendin e ndërtimit të stadiumit të ri. Ne kemi qenë gjithnjë të gatshëm për të bashkëpunuar me qeverinë, me qëllim që puna për ndërtimin të fillojë sa më shpejt. Kemi rishikuar kapacitetin, pasi mendojmë se Shqipërisë nuk i duhet një stadium më i madh se 30 mijë vende, ndaj i qëndrojmë kësaj ideje. Presim që të zgjidhen edhe problemet e fundit dhe të nisë menjëherë ndërtimi i impiantit”, ka pohuar Duka.

Ceremonia e gjyqtarëve
Presidenti i Federatës, Armand Duka, ka qenë prezent dje në hapjen e Seminarit të Arbitrave, i cili organizohet nga FSHF në bashkëpunim me FIFA-n. Pas përshëndetjes së rastit, Duka ka përshëndetur të dërguarin e FIFA-s, ish-arbitrin e njohur Valeri Ivanov dhe ka lauruar me stemën e re 2012 të FIFA-s tre gjyqtarët: Lorenc Jemini, Bardhyl Pashaj dhe Enea Jorgji. Stemën e FIFA-s e kanë marrë dhe asistentët.

© Panorama.al

Te lidhura