PRISHTINE- Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.
Mocioni është miratuar pas një debati rreth çështjes së masave të reciprocitetit me Serbinë që ishin vendosur më 20 korrik të këtij vitit si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që Serbia u kishte vendosur mallrave nga Kosova, raporton REL.
Parashtruesi i kërkesës Visar Ymeri lexoi tri pikat e mocionit, të cilat më pas u miratuan me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë.
”Pika një; qeveria t’í marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Pika dy; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ta nxis dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendor dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia dhe nën tre; qeveria t’í forcoj të gjitha mekanizmat shtetëror për të siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë”, tha Ymeri, duke lexuar pikat e mocionit.
Ky mocion u miratua me 44 vota për, 33 ishin kundër ndërkaq 2 deputet abstenuan.
Ky ishte një prej rasteve të rralla kur opozita ia del që të miratoj një nismë, duke siguruar shumicën në kuvend. Kuvendi do të vazhdojë punimet edhe nesër.
© Panorama.al











