Kuvendi nis zyrtarisht sot sesionin e ri parlamentar për vitin 2012. Starti i punimeve do të nisë me mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve, që pritet të pasojë me miratimin e kalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 16 janar deri më 3 shkurt dhe programin e punës për periudhën 16 janar deri më 24 shkurt. Axhenda e re e punimeve të Kuvendit do të jetë sërish një test i fortë për rezistencën e marrëveshjes midis opozitës dhe maxhorancës, për ligjet që kërkojnë tri të pestat e votave. Në programin e punës së Kuvendit janë përfshirë ndryshimet në dy kode të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, siç është Kodi Penal dhe ai Civil. Për Kodin Penal janë propozuar katër nisma ligjore, të cilat synojnë të korrigjojnë problematikat e hasura ndër vite. Për të dyja kodet opozita ka kërkuar që ndryshimet të mos ndërmerreshin gjatë sesionit të vitit të shkuar, por ato t’i nënshtroheshin një procesi përmirësimi dhe më pas miratimi i tyre si një paketë ligjore amendimesh. Për këtë arsye, miratimi i tyre u shty në kohë dhe u la për sesionin e gjashtë të Parlamentit. Gjatë punimeve të Kuvendit vitin e shkuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar kanë lëkundur në disa raste marrëveshjen midis demokratëve dhe socialistëve. Kjo “krisje” u vu re gjatë diskutimeve për Kodin Rrugor të Shqipërisë, Kodit Ajror dhe Kodit Hekurudhor. Këto nisma, pas debateve të zhvilluara midis palëve, janë miratuar në seancat e fundit të vitit të shkuar, çka u vlerësua si përmbushja e një prej pikave kyçe të kërkuara nga progres-raporti i KE-së.
Gjykata Administrative
Projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative”, pas dështimit për të marrë kartonët jeshilë të ligjvënësve të dy kampeve politike në nëntor të vitin 2010, është kthyer sërish në tryezën e Kuvendit. Drafti për Gjykatën Administrative është përfshirë në programin e Kuvendit dhe pritet të diskutohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Gjykata Administrative, sipas programit të Kuvendit, pritet të miratohet në muajin shkurt, pasi nuk është përfshirë në kalendarin njëmujor të punimeve të Parlamentit. Drafti i Gjykatës Administrative ka marrë më parë pëlqimin e palëve në Komisionin e Ligjeve, por ngërçi politik i dy viteve të shkuara pengoi miratimin e këtij projekti të financuar nga USAID-i. Për rrjedhojë, përplasjet politike shkaktuan djegien e një fondi prej 16 milionë dollarësh të SHBA-ve, pasi afati i miratimit të Gjykatës Administrative ishte 31 janari i vitit 2011.
Nismat
Në kalendarin e punimeve është përfshirë dhe miratimi i një akti normativ, i propozuar nga qeveria për të shtyrë afatin e ligjit të “legalizimit të kapitalit dhe faljes së një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”. Një nismë e tillë është prezantuar nga Kryeministri Berisha, i cili theksoi se falja do të shtyhet deri në fund të muajit shkurt të vitit 2012, afati i kësaj faljeje fiskale përfundonte më 31 dhjetor. Sipas Kryeministrit, akti normativ vjen për shkak të fluksit të madh të kërkesave për hipotekimin e banesave në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Pjesë e nismave që pritet të shoqërohen me debate do të jetë dhe projektligji për mediat. Një nismë e debatuar dhe që është përfshirë sërish në axhendën e Kuvendit. Projektligji në fjalë do të kalojë për diskutime në tri komisione parlamentare, fillimisht drafti do të miratohet në Komisionin Parlamentar të Mediave, më pas në Komisionin e Integrimit Europian dhe në fund në Komisionin e Ligjeve.
Kalendari i punimeve (16 janar – 3 shkurt 2012)
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (4 nisma ligjore).Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për ‘Kodin Civil i Republikës së Shqipërisë’ të ndryshuar”.
Projektligji “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimit të Drejtësisë Administrative”.
Projektligji “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë në Republikën e Shqipërisë”.
Projektligji “Për shëndetin mendor”.
Projektligji “Për disa ndryshime e shtesa në ligjin ‘Për përmbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.
Akt normativ nr. 5 datë 28.12.2011, “Për një ndryshim në ligjin nr. 10418, datë 21.4.2011, ‘Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor’”.
Seanca e parë
Ditën e hënën, më datë 16 janar, do të zhvillohet mbledhja e parë e Parlamentit të Shqipërisë. Në seancën e parë nuk parashikohen votime të projektligjeve, por miratimit të programit të punës së Kuvendit për periudhën 16 janar – 24 shkurt. Gjithashtu dhe miratimin e kalendarit trejavor, 16 janar – 3 shkurt 2012. Miratimi i projektligjeve të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar votash sipas programit të punës janë parashikuar të votohen në muajin shkurt. Seanca e parë do të zhvillohet pasditen e ditës së hënë dhe pritet të jetë në mbledhje formale dhe pa debate.
Rezultatet e paktit PD-PS
Marrëveshja midis PD-së dhe PS-së, e arritur dhjetorin e vitit të shkuar, ka prodhuar rezultate konkrete, siç ishte miratimi me konsensus i Kodit Rrugor, Kodit Hekurudhor dhe Kodit Detar. Marrëveshja në fjalë e arritur pas dy viteve ngërç midis maxhorancës dhe opozitës pasoi me miratimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit. Më pas kjo marrëveshje u testua dhe me votimin e kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste për postin e Avokatit të Popullit, konsensus që arriti një total prej 127 votash në Kuvend pro Igli Totozanit. “Muaji i mjaltit” midis PD-PS vazhdoi dhe me miratimin e një rezolute të përbashkët për integrimin europian.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











