“Kuvendi, bunkeri i Belinda Ballukut” – Bardhi: SPAK ka dokumentuar 1.1 miliard euro vjedhje! Peleshi na nisi një letër, flitej me gjuhën e korrupsionit

Dec 26, 2025 | 11:49

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi theksoi se Kuvendi është kthyer në bunkerin e Belinda Ballukut pasi 5 anëtarët demokratë të Këshillit të Mandateve nuk u lejuan që të hynin në sallë për të zhvilluar mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së SPAK, i cili kërkon heqjen e imunitetit të të pandehurës Belinda Balluku.

bardhi balluku

Në një prononcim për mediat, Bardhi hodhi akuza ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi se e ka kthyer zyrën e tij në zyrë avokatie për të mbrojtur Belinda Ballukun.

Ai theksoi se socialistët po tentojnë që t’i japin Ballukut kohë që të intimidojë dëshmitarët, të prishë provat dhe të marrë peng drejtësinë.

“Kuvendi është bunkeri i Belinda Ballukut ku mendojnë se do të strehojnë çdo të korruptuar të qeverisë, mendojnë se do të marrin peng drejtësinë dhe do të pengojnë që të bëjë detyrën e saj. E kanë gabim. Më së pari kryetarin e kuvendit që kthehet në zyrtarin e dytë të lartë të shtetit, që e ka shndërruar zyrin e tij në zyrë avokatie për Belinda Ballukun, duke zvarritur një kërkesë të ngutshme të Prokurorisë.

Media ka publikuar dëshminë e vartëses së Ballukut, që ka bashkëpunuar me SPAK për të treguar procedurën e tenderit të tunelit të Llogarasë. Kjo vartëse, sipas kërkesës së Prokurorisë, në prova, është intimiduar nga Balluku. Këta po tentojnë, duke i dhënë kohë Ballukut të intimidojë çdo dëshmitar, të prishë provat dhe të marrë peng drejtësinë. Ka nisur Peleshi një shkresë e kemi lexuar 5 herë dhe se kemi kuptuar se cfarë ka shkruar. Është gjuhë korrupsioni.

Së pari thotë se Balluku ka kërkuar 3 javë kohë dhe është i vendosur për t’i garantuar të drejtën e mbrojtjes. Së dyti, sqaron në mënyrë të gënjeshtërt se në rastin kur GJK i është kërkuar të japë një vendim mbi një çështje që lidhet me shqyrtimin parlamentar, nuk mund të thirret këshilli. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mbledhjen e Këshillit sipas rregullores. Hap ligjor për të shpërthyer sallën e mbledhjes apo për të marrë peng Peleshin nuk kemi dhe nuk do ta bëjmë”, tha Bardhi.”, tha ai.

Bardhi theksoi gjithashtu se në shkresën e SPAK drejtuar Kuvendit, ku kërkon autorizim për arrestimin e zëvendës kryeministres, flitet për 1.1 miliardë euro vjedhje.

“Prokuroria nuk ka kërkuar zëvendësim të masës për shkak se është e pamundur zbatimi i masës së parë por për shkak se nga 210 milionë euro që kishte vjedhur, sot që flasim prokuropria ka dokumentuar se ka vjedhur 1.1 miliardë euro dhe është rënduar situata. Çështja që prokuroria i është drejtuar kuvendit nuk ka lidhje me atë në GJK.”, shtoi deputeti.

Çfarë ndodhi sot?

5 anëtarët e PD-së në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, Gazment Bardhi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Saimir Korreshi, u paraqitën sot në Kuvend pas kërkesës që i dërguan kryetarit të Kuvendi, Niko Peleshi, për të zhvillluar mbledhjen e këshillit sot në orën 11:00, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, i cili kërkon heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe hapjen e rrugës për masë më të ashpër sigurie si ajo e arrestit në shtëpi apo në burg.

Por kur demokratët shkuan në sallën ku mblidhet Këshillim dera ishte e mbyllur. Gazment Bardhi akuzoi se kishin kërkuar edhe praninë e gazetarëve në zyrën e PD brenda Kuvendit, por nuk ishin lejuar nga garda.

Demokratët dërguan dy ditë më parë një shkresë Peleshi ku kërkonin që Këshilli të mblidhej sot për Ballukun pasi mbledhja e kaluar, ku ishin të pranishëm edhe tre prokurorët e SPAK, u shty pa datë. Në kërkesë e tyre ata argumentonin se një javë ishte mëse e mjaftueshme që mbrojtësit e Ballukut të njiheshin me aktet e dosjes së depozituar nga SPAK.

Kujtojmë që mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, ku të pranishëm ishin 3 prokurorët e posaçëm, drejtuesi i ri i SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Nuk pati asnjë dakordësi pasi diskutimet u fokusuan te USB-ja me mbi 10 mijë faqe kundër Ballukut, e dorëzuar nga Prokuroria e Posaçme, ku argumentohet kërkesa për heqjen e imunitetit e saj.

Mbledhja u shty pa datë pasi nuk pati dakordësi mes palëve.

© Panorama.al

Te lidhura