Gjykata e Tiranës ka dënuar dy ish zyrtarët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ish drejtorin Artjol Saliasi dhe Gëzim Salën për shpërdorim detyre.
Togat e zeza i kanë dënuar të dy ish-zyrtarët me nga 9 muaj burg, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi është ulur me 1/3, duke u konvertuar përfundimisht në 6 muaj heqje lirie. Megjithatë, gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 1 vit shërbim prove.
Dy ish-zyrtarët e AMP-së u hetuan pas dyshimeve se nuk kishin respektuar ligjin gjatë procedurës së ndjekur për punësimin në këtë agjenci të Muçi Shaljanit, i cili u vra në atentatin e Rinasit në nëntor të vitit të kaluar.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Saliasi dhe Sala kanë komunikuar së bashku me punësimin e Shaljanit në AMP. Dokumentet janë përgatitur nga Gëzim Sala ndërsa në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë anashkaluar të gjitha procedurat e parashikuara për rekrutimin e agjentëve të rinj.
Prokuroria deklaroi se nga hetimet, nuk rezulton e dokumentuar me shkrim e as verbalisht kërkesa për rekrutimin e agjentëve në AMP për “nevoja urgjente”, ashtu siç i argumentuar rasti i punësimit në strukturë në një kohë të shkurtër i Muçi Shaljanit.
ATENTATI
Ngjarja e rëndë ndodhi nëntorin e kaluar. Gilmando Dani, i cili sapo ishte kthyer nga Barcelona, u qëllua me breshëri plumbash teksa në automjet ndodhej edhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani ndërroi jetë në vend, ndërsa Shaljani vdiq pas disa ditësh në spital.
© Panorama.al












