TIRANE- Në seancën e parë parlamentare për vitin 2012, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit, tha se “është fryma e Kushtetutës që kërkon një President që përfaqeson unitetin e popullit, dhe jo të një partie apo maxhorance.”
Ai tha se Kushtetuta thërret konsensusin për zgjedhjen e Presidentit, duke shtuar se maxhorancës i mungon legjitimiteti për të zgjedhur e vetme Presidentin.
Më tej, Ruçi tha se ky është viti rrugës së programit tonë të ri, për të ripërtërirë Shqipërinë, rivendosur demokracinë, e bashkuar Shqipërinë me Evropën.
“Ky vit politik është viti i 100-vjetorit. Ky 100 vjetor e gjen shtetin shqiptar pa shtet në shërbim të qytetarëve, e gjen me demokraci të rrezikuar, ku jeta e qytetarit është e rrezikuar. Me krizë ekonomike, ku rritja ka ndaluar, ku korrupsioni dhe kapja e shtetit janë evidente. E gjen me nje papunësi në rritje, e gjen me një varfëri të shtuar. Me një jetë të shtrenjtuar, me një të ardhme të rrezikuar. 100 vjetori e gjen shtetin shqiptar, në udhëkryqin diktaturë bjelloruse, apo në rrugën drejt BE-së.”- tha Ruçi në fjalën e tij.
Ruçi hodhi poshtë zërat për një prishje të marrëveshjes për miratimin e ligjeve me 3/5.
Ne e duam e Shqipërinë me status, do të vazhdojmë të punojmë intensivisht për miratimin në kohën e duhur, por me cilësi ligjet me 3/5.
“Draftet tuaja janë arrnime. Grupi jonë parlamentar, po punon përditë me projektet e paraqitura. Në do ta japim votën tonë, vijueshmërisht që të kalojmë nëpërmjet një procesi, tarsnparent dhe gjithëpërfshirës. Ne u themi të gjithëve që nxitojnë, se paskemi prishur marrëveshjen. Ne marrëveshjen se kemi me ju, e kemi me shqiptarët, që e duan integrimin e vendit.” -theksoi Ruçi.
Në fjalën e saj hapëse, kryetarja e Parlamenti, Jozefina Topalli i ftoi deputetët që të përmbushin detyrat, dhe të votojnë të gjithë bashkë për ligjet që kërkojnë shumicë, dhe kanë në bazë integrimin e vendit.
“Ulja e varfërisë, zhvillimi i çdo qyteti, qarku, fshati është qëllimi jonë”- tha Topalli.
Pas kolegut Ruçi, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Astrit Patozi tha se është i parakohshëm debati për Presidentin. Sipas tij Kushtetuta nuk le vend për hamendsime.
Në mbyllje të fjalës së tij, Patozi tha se “Na duhet të gjithëve një President i mirë Republike në 100 vjetorin e Pavarësisë. Le të vijë ai bashkë me statusin e vendit kandidat.”
Kuvendi i Shqiperise miratoi edhe kalendarin 3 javor të punimeve të për periudhën 16 janar – 3 shkurt 2012.
© Panorama.al











