
TIRANE- Kuvendi miratoi sot vetëm me votat e maxhorancës ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin nga detyra të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Projektvendimi i paraqitur nga disa deputetë të Partisë Demokratike mori 73 vota pro dhe 57 kundër. Opozita ashtu siç paralajmëroi nuk e votoi ngritjen e komisionit.
Viktor Gumi, në emër të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut paraqiti para deputetëve arsyet e kërkesës, duke u kërkuar atyre të votojne projektvendimin që parasheh ngritjen e një komisioni hetimor.
Fatmir Xhafaj, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi menjëherë votën kundër shkarkimit të Kreshnik Spahiut. Sipas tij, kjo votë kundër nuk vjen sepse PS mbron Kreshnik Spahiun, pasi puna e tij lë shumë për të dëshiruar në krye të KLD-së.
“Kjo është një nismë e cenueshme në frymën kushtetuese. Kërkesa dhe mënyra se si është hartuar, është një gjë e sforcuar dhe nuk është në përmbushje të kritereve të Kushtetutës.”- tha Xhafaj.
Sipas tij, ky është një gjyq ushtarak, për kokëprerje individuale, duke shtuar se PD-së nuk i intereson veprimtaria e tij në KLD, por e ardhmja e tij në politikë, sepse trembeni se do tu marrë votat.
Kryetar i komisionit do të jetë anëtari i Komisionit të Ligjeve dhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndërsa anëtarë do të jenë Ramiz Çoba, Paulina Hoti, Gerti Bogdani dhe Ledina Aliolli. Katër anëtarët që i takojnë opozitës nuk janë propozuar nga kjo e fundit.
Sipas projektvendimit, komisioni hetimor do të zhvillojë punimet e tij brenda një afati 3- javor nga momenti i miratimit.
Kuvendi miratoi sot disa projektligje, ndersa punimet vazhdojne me piken e fundit te rendit te dites, 60 minuta diskutim i lire.
© Panorama.al











