TIRANE- Maxhoranca dhe opozita dështuan të miratonin ligjet që kërkonin 84 vota në seancën e sotme plenare. Kuvendi shtyu miratimin e pr/ligjeve pasi opozita nuk pranoi të votonte. Seanca, u karakterizua nga debate të forta mes pozitës dhe opozitës.
Ne rendin e dites se punimeve te sotme te Kuvendit ishte perfshire edhe miratimi e nje sere projektligjesh te rendesishme qe kerkojne shumice te cilesuar, pra 84 vota.
Mes tyre ishin, Kodi Penal, Kodi Rrugor, Kodi Detar, Kodi Hekurudhor dhe Kodi Ajror, të cilat presin të marrin votën e opozitës.
Për amendametet në Kodin Penal janë ndërmarrë 4 nisma legjislative, për Kodin Detar janë ndërmarrë 2 nisma legjislative, për Kodin Rrugor 3 nisma, ndërsa për Kodin Civil, Hekurudhor dhe Ajror janë propozuar shtesa dhe ndryshime për aktualizimin e tyre me kërkesat ndërkombëtare të kohës. Në seancën e sotme pritet të raportojnë pothuaj të gjithë komisionet parlamentare që shqyrtuan projekt-ligjet; komisioni i ligjeve dhe të drejtave njerëzore, komisioni për sigurinë kombëtare, komisioni për integrimin europian, si edhe komisioni për tregtinë dhe mjedisin.
Pak ditë më parë ishte kreu i PS-së, Edi Rama, që deklaroi se opozita nuk do të votojë draftet që kërkojnë shumicë të cilësuar, të cilat i quajti si arna të kryeparlamentares Topalli.
“Në ditët në vijim do të shpallim publikisht vizionin tonë për qasjen ndaj ligjeve që duan 3/5-tat e votave të Kuvendit, ku përsëris se ne s’do ta ngremë kartonin jeshil për arnat që zonja Jozefinë fut në çdo rend dite, po jemi gati të punojmë me palën tjetër për një vizion kombëtar e europian të ndërtimit të shtetit modern shqiptar, që sipas nesh, do të thotë tërheqja e plotë e të gjitha drafteve rromapërtoma të paraqitura në Kuvend për t’i hedhur hi syve Brukselit dhe hapja e disa kantiereve për reforma të mëdha, të thella, të integruara në një vizion të përbashkët e bashkëkohor”, u shpreh Rama.
Nga ana e saj, maxhoranca ka deklaruar se ligjet që kërkojnë 3/5-tat e votave janë diskutuar dhe miratuar në komisionet parlamentare, ku është marrë parasysh edhe mendimi i pakicës.
Sipas kryeparlamentares Topalli, “kjo më duket se është bllokim. Nuk do doja ta paragjykoja, por nëse kërkohet tërheqja e drafteve mbi të cilat kanë punuar deputetët e maxhorancës dhe të opozitës, atëherë nuk është kurs i ri, por është bllokim, nuk është kurs i ri, por është blof. Ashtu siç ka thënë edhe Kiesevetter pak ditë më parë, bojkoti dhe bllokimi nga opozita kanë dëmtuar vendin dhe integrimin. Nga bllokimi, siç edhe ju vetë e dini, Shqipëria ka humbur dy vite në aspektin e stacioneve të reja drejt integrimit. Koha nuk pret. Koha nuk të fal më për bllokim”.
© Panorama.al











