Gjykata Kushtetu-ese ka vendosur me shumicë votash shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të termit “kombësi” në nenet e ligjit “Për Gjendjen Civile”. Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin në faqen e saj zyrtare, duke i dhënë dhe fuqi ligjore. “Gjykata çmon se rregullimet e ligjit për Gjendjen Civile, objekt shqyrtimi, cenojnë garancitë e nenit 35 të Kushtetutës. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm, Gjykata vlerëson se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termi “kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit për Gjendjen Civile, cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe bien në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses. Përmes një votimi 6 me 2, trupa e gjyqtarëve vendosi ta cilësojë, në kundërshtim me Kushtetutën, nenet 6, 8, 42/2, 58 të ligjit “Për Gjendjen Civile”, që bien ndesh me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenet 9,14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë mënyrë, termi “kombësi” nuk do të shkruhet më në dokumentet e gjendjes civile, si certifikatë, kartë identiteti apo pasaportë. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese arriti pasi shqyrtoi kërkesën e bërë nga gjykatat e shkallës së parë të Sarandës, Përmetit dhe Shkodrës dhe pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Sokol Berberin, subjektet e interesuara, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave. Sipas vendimit, Gjykata arrin në konkluzionin se, dispozitat e ligjit për Gjendjen Civile, objekt i këtij kontrolli kushtetues, duke vendosur detyrimin për regjistrimin e të dhënave mbi “kombësinë” në regjistrat e Gjendjes Civile, ndërhyjnë në sferën e jetës private të individit, në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës. “Kjo ndërhyrje, në vlerësimin e Gjykatës, shkakton një devijim nga parimi kushtetues i mosdetyrimit të bërjes publike të të dhënave personale, ku përfshihen dhe të dhënat personale ‘sensitive’, i cili sanksionohet në nenin 35 të Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Në vendimin e saj Gjykata vlerëson se mbrojtja e të dhënave “sensitive”, si një nga komponentët e së drejtës për respektimin e jetës private, garantohet nëpërmjet shprehjes së lirë të vullnetit për t’i bërë publike ose jo këto lloj të dhënash, në përputhje me nenin 35 të Kushtetutës. “Të dhënat që sigurojnë informacion për analiza demografike, të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe social apo për qëllime të politikave shtetërore për të nxitur ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor të pakicave etnike, mund të merren nëpërmjet procedurave të tjera përkatëse, në përputhje me garancitë ligjore që parandalojnë shpërdorimin e të dhënave të mbledhura, si dhe përcaktojnë saktësisht rregullat e veçanta të përpunimit”, theksohet në vendim.
ARISTIR LUMEZI











