Osama Bin Laden, kreu i Al Kaidës dhe njeriu më i kërkuar i Shteteve të Bashkuara, ka bërë një karrierë 30-vjeçare të islamizmit ekstremist, duke mbështetur muxhahedinët afganë në organizimin e sulmve kundër interesave amerikane.
Bin Laden ka lindur në Riad të Arabisë Saudite në vitin 1957, në një familje të pasur, si djali i vetëm i gruas së katërt të Muhamad Bin Ladenit. Prindërit iu divorcuan shpejt pas lindjes së tij.
Në moshën 10- vjeçare, babai i Osama Bin Ladenit humbi jetën nga rrëzimi i një aeroplani në Arabinë Saudite, kur piloti amerikan gaboi gjatë uljes.
Bin Ladeni u rrit si vehabist i devotshëm, duke ndjekur shkollën elitare sekulare Al Thagar në vitin 1968, ndërsa më vonë studioi ekonomi dhe biznesi në Universitetin Mbreti Abdulaziz.
Pasi braktisi studimet në vitin 1979, Bin Laden iu bashkua teologut sunit palestinez, Abdullah Azam, për të ndihmuar në luftimin e invazionit sovjetik në Afganistan, duke jetuar për ca kohë në qytetin veriperëndimor pakistanez, Peshauar.
Deri në vitin 1984, Bin Ladeni dhe Azami themeluan grupin Maktab al-Khadamat, i cili siguronte para, armë dhe militantë muslimanë nga mbarë bota për luftën afgane.
Në vitin 1988, Bin Ladeni u shkëput nga lëvizja Maktab al-Khadamat dhe formoi Al Kaidën. Kur sundimtari i Irakut, Sadam Huseini pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, duke kërcënuar Mbretërinë Saudite, Bin Ladeni fillimisht ofroi ndihmë për të mbrojtur Arabinë Saudite me luftëtarët muxhahedinë të tij. Por, oferta e tij u refuzua.
Pasi u pranua ndihma e Shteteve të Bashkuara për të dëbuar Irakun nga Kuvajti, Bin Ladeni publikisht denoncoi varësinë e Arabisë Saudite nga ushtria amerikane dhe vendosjen e trupave të Shteteve të Bashkuara në territorin saudit.
Brenda disa muajve, Bin Laden tërhoqi vëmendjen me sulmet në perëndim dhe në botën arabe, përfshirë vrasjen në vitin 1990 në Nju Jork të rabinit amerikano-izraelit, Martin David Kahani, shpërthimin e bombës në vitin 1992 në hotelin Gold Mihor në Aden dhe sulmin e dështuar në vitin 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Në vitin 1992 Bin Ladeni jetoi në mërgim në Sudan, ku besohet se zhvilloi justifikimin e Al Kaidës për vrasjen e njerëzve të pafajshëm.
Por, në vitin 1996 ai u dëbua nga Sudani nën presionin e Arabisë Saudite, Egjiptit dhe SHBA-ve, dhe kaloi në Afganistan, ku vendosi kontakte me regjimin e talibanëve.
Në kohën kur ishte mysafir i regjimit të talibanëve në Afganistan, mendohet se Bin Ladeni financoi sulmin në vitin 1997 në Luksor, një masakër në Egjipt ku u vranë 62 njerëz.
Në këmbim, Bin Ladenit iu lejua të ngrejë qendër për stërvitjen e terroristëve në fermat Tamak, në jug të Kandaharit.
Ndaj Bin Ladenit u ngrit aktakuzë në SHBA për ndërlidhje në sulmet me bomba në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, në vitin 1988, ku u vranë 224 njerëz, shumica afrikanë dhe muslimanë.
Ishte viti 2004, kur pas disa mohimeve që pati bërë, Bin Laden e mori përgjegjësinë për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Në sulmet me aeroplanë të rrëmbyer në Qendrën Botërore të Tregtisë, në Pentagon dhe në Pansilvani, ku humbën jetën rreth 3.000 njerëz.
© Panorama.al











