Kush ishte “spiuni” që groposi liderin e terrorit

May 4, 2011 | 12:05
Skema e operacionit të forcave amerikane në vilën e Bin Ladenit

Korrieri që ka çuar në zbulimin e vendit të sigurt të Osama bin Ladenit është kuvajtiani Abu Ahmad al Kuvaiti.Autoritetet amerikane nuk e kanë zbuluar emrin e tij por dokumentet e shpërndara nga Wikileaks mbi Guantanamon përmbajnë referime të ndryshme për al Kuvaitin gjatë marrjes në pyetje të të burgosurve. Pikërisht nga këto marrje në pyetje ka dalë emri i korrierit të besuar të Bin Ladenit, i afërt me Khalid Sheikh Mohammed, ‘truri’ i sulmeve të 11 shtatorit, edhe ai me origjinë nga Kuvajti. Ndodhi kështu që një nga korrierët më të besuar të Osama Bin Ladenit me emrin Sheikh Abu Ahmed, u lokalizua pasi bëri një telefonatë të vetme dhe u ndoq në fshehtësi nga amerikanët duke i çuar ata në strofullën e projektuesit të terrorit. Donald Rumsfeld, sekretari i Mbrojtjes gjatë pjesë s më të madhe të dy mandateve të Xhorxh Bush tha se për këto informacione nuk është praktikuar tortura. “Teknika e stimulimit të mbytjes nuk është përdorur për të marrë informacione mbi Bin Ladenin”, tha ai. Kompleksi i Bin Ladenit ka qenë në radarët e CIA-s që në gushtin e 2010–ës kur Barak Obama i u njoftua se Bin laden mund të ishte atje. Kompleksi ishte vetëm 730 metra larg akademisë ushtarake të Pakistanit. Gjatë operacionit të 2 majit vajza 12-vjeçare e Osama Bin

Obama, Paneta, Klinton dhe ndihmesit me te afert te presidentit amerikan, duke pare misionin “live”

Ladenit ka parë vrasjen e babait të saj nga forcat amerikane. Vajza tani është në duart e forcave pakistaneze, sipas BBC-së në Islamabad. “Kishte shumë gra dhe fëmijë në kompleks. I kishin duart e lidhura me pranga plastike. Mes tyre edhe vajza 12 vjeçare e cila kishte parë të atin se si ishte vrarë nga forcat amerikane”, raportoi BBC. Operacioni ishte koduar “Geronimo”. Në të morën pjesë 24-25 trupa të super-trajnuar të elitës ushtarake amerikane. Por sipas “New York Times” kanë qenë 79 ushtarë elite dhe jo 24. Katër helikopterë amerikanë kanë mbërritur në Abutabad në orën 12:30 me orën lokale, nga baza ajrore Ghazi. Forcat speciale amerikane kanë zbritur me litarë nga helikopterët në kompleksin e Bin Ladenit. Në rezidencën e tij muret rreth ballkonit të katit të parë ishin 2.1 metra të larta. Rreth kompleksit kishte mure 5,5 metra të larta të veshura në pjesën e sipërme me tela me gjemba. Dritaret ishin me xhama të errët. Sapo kanë dalluar amerikanët, rojat e tij kanë hapur zjarr me granata–raketash dhe kallashnikovë. Shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur 40-45 minuta. Osama bin Laden është qëlluar për vdekje me dy plumba, një në anën e majtë të kokës, mbi sy, dhe një në kraharor me një armë AK-47. Një helikopter i amerikanëve është rrëzuar përpara portës së sigurisë. Në fazën më dramatike tw operacionit, forcat speciale amerikane morën kufomën e tij me helikopter në bazën e tyre në Bagram, Afganistan dhe më pas e kaluan në

Dhoma ku u vra kreu i Al Kaedës

aeroplanmbajtësen “USS Carl Vinson”. Aty është bërë edhe një ceremoni e shpejtë në gjuhën arabe, pasi Arabia Saudite nuk pranoi ta merrte trupin e tij, dhe më pas u varros në det. Trupi i Bin Ladenit është varrosur në Detin arabik të Veriut në orën 11:00 të mëngjesit me orën lokale. Presidenti Barak Obama e ka ndjekur aksionin drejtpërdrejt nëpërmjet kamerave të ushtarëve nga dhoma e situatave në Shtëpinë e Bardhë, një hapësirë e sigurt e përdorur për monitorimin dhe menaxhimin e krizave. Për 40 minuta, President dhe ndihmësit e tij më të lartë kanë parë se si forcat speciale amerikane kanë sulmuar liderin e Al-Kaedës, por kanë parë edhe se si një nga helikopterët e tyre u rrëzua. “Minutat dukeshin si ditë”, tha shefi i antiterrorizmit në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Brenan. Pasi mësoi vdekjen e Bin Ladenit, Presidenti Obama bërtiti, “E kapëm”.

 

5 meshkuj
janë arrestuar nën akuzat e terrorizmit në impiantin nuklear britanik, vetëm pak orë pasi u njoftua vrasja e Osama Bin Ladenit. Ata janë ndaluar në “Sellafield” që ka material shumë të rrezikshëm bërthamor, pasi u ndaluan në një pikë kontrolli pranë Kumbrias perëndimore. Arrestimi u bë kur bota po pret me frikë për akte hakmarrjeje kundër vrasjes së Bin Ladenit.

Fqinjët nuk besojnë se jetonin ngjitur me të superkërkuarin

Banesa e fundit e Bin Ladenit

Teoritë e komploteve mbi vdekjen e Osama bin Ladenit po lulëzojnë në të gjithë botën, madje edhe në qytetin e vogël pakistanez, Abutabah, ku u krye aksioni amerikan kundër kreut të Al Kaedës. “askush nuk i beson vrasjes së Bin Ladenit. Këtu ne nuk kemi parë vërdallë asnjë arab. Osama nuk ka vdekur. SHBA-të kanë sajuar çdo gjë sepse duan të braktisin Afganistanin”, këto ishin disa nga komentet e bëra nga fqinjët e Bin Ladenit, pranë rezidencës së tij të re të ndërtuar vetëm gjashtë vite më parë. Në listën e “dëshmitarëve” të afërt me vrasjen e tij, shtohet edhe një polic i forcave pakistaneze, i cili tha se “Nuk besoj se Osama ndodhej aty, në atë ndërtesë. Ne na kanë thirrur në detyrë në orën tre të natës (me orën lokale), por nuk kemi parë asgjë me sytë tanë, as trupin e tij, sepse operacioni në atë kohë kishte përfunduar”. Ata që i shtohen personave që nuk besojnë janë edhe talebanët në Afganistan. Sipas tyre “nuk ka asnjë provë që Osama të jetë vrarë, trupi i tij nuk është fotografuar dhe historia e funeralit të shpejtë është e dyshimtë”.

Wikileaks

Forcat amerikane ishin stacionuar vetëm pak kilometra larg kompleksit të Osama Bin Ladenit në tetorin e vitit 2008, sipas raportimeve të kabllogrameve të diplomacisë amerikane, publikuar nga WikiLeaks. Rrëfimi se forcat amerikane ishin kaq afër njeriut më të kërkuar në botë në vitin 2008, vjen pasi materiale nga dosjet e Guantanamos sugjerojnë se SHBA-të mund t’i ketë pasur informacionet sekrete që do t’i çonin drejt kapjes së Bin Ladenit që tre vite më parë.

Gafa Obama/Osama

Ngjashmëria e madhe midis emrit të terroristit më të kërkuar në botë dhe Presidentit të SHBA-ve ka bërë që shumë media të ngatërrohen në raportimet e tyre, duke u shprehur se “Obama bin Laden ka vdekur”. Një korrespondente e “FOX News” e raportoi kaq shpejt lajmin sa në titrat e Fox40 lexohej “Obama Bin Laden Dead”. Gazetari Peter Segal i NPR-së bëri të njëjtin gabim në Twitter dhe kërkoi menjëherë falje me shkrim. BBC deklaroi fillimisht në faqen online se Obama kishte vdekur. Gafa u kap nga “Daily mail”. Edhe korrespondentja e MSNBC-së shkruajti në Twitter se Obama kishte vdekur. CNN kishte shkruar online se nuk ka pasur asnjë të dhënë se “Obama” ishte përpjekur të dorëzohej. Korrespondenti i CBS-së nga Shtëpia e Bardhë, Mark Knoller, e bëri të njëjtin gabim, dy herë.

Ndryshon historia e vrasjes së Bin Ladenit

Zyrtarë të antiterrorizmit amerikan i kanë korrigjuar deklaratat e mëparshme se Bin Ladeni kishte qëlluar me armë dhe se gruaja e tij është vrarë. Xhon Brenan, këshilltar i antiterrorizmit për Barak Obamën tha se Bin Laden ishte “angazhuar në shkëmbim të shtënash”. Të tjerë zyrtarë thanë se ai i kishte qëlluar anëtarët e skuadrës elite të flotës amerikane “Seal Team Six”. Por deklarata të tjera nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, (sekretari i shtypit, Xhek Karnej) sugjerojnë se kur është vënë në kurth në kompleksin e tij të sigurisë së lartë në Abutabad, Bin Laden nuk kishte armë. Nuk është e qartë se me çfarë bëri rezistencë Bin Ladeni kur nuk kishte asnjë armë për të qëlluar. Ka pasur ndryshime të tjera në historinë e vrasjes së Osamës, një ditë më pas. Raportimet e para treguan se një prej grave të tij kishte vdekur pasi ai e kishte përdorur si mburojë. Por raportime më të qarta tregojnë se gruaja e tij ishte qëlluar në këmbë dhe nuk ka vdekur gjatë aksionit. Kjo ngre dyshime nëse ndonjë grua mund të jetë përdorur vërtet si mburojë. Edhe emri i djalit të vrarë të Bin Ladenit nuk është Hamzai, i njohur si “trashëgimtari i mundshëm”. Brenan tha dje se ishte vrarë djali i tij, Khalid. Duke iu kërkuar sqarime nga gazetarët, Brenan tha se “Nuk isha atje, informacionin e kam nga video”.

Al Kaeda, kapet kompjuteri me sekretet

Konsiderohet një thesar kompjuteri i Osama bin Ladenit i gjetur në rezidencën e tij në Abutabad pas aksionit të amerikanëve, pasi mund të sigurojë të dhëna jetësore për rrjetin terrorist të Al Kaedës, aksionet e tyre dhe të përfshirët në të.Autoritete amerikane shpresojnë që ta shkatërrojnë këtë rrjet, pasi i kanë siguruar të dhënat e tij. Shefat e anti-terrorit shpresojnë se do të arrijnë të hyjnë në të dhënat që do të tregojnë gjurmë për punët e brendshme dhe lojtarët kryesorë të rrjetit global të terrorit. Këshilltari i antiterrorizmit në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Brenan, konfirmoi dje se analistët janë duke u përpjekur për të nxjerrë të dhënat, për të përcaktuar hapin tjetër në luftën kundër terrorit. Kompleksi i Abutabad është sekuestruar nga forcat e sigurisë pakistaneze dhe po ruhet në kushte të rrepta sigurie. Gazetarët nuk lejohen të afrohen në kompleks, ku nga jashtë duken muret e dëmtuar nga plumbat dhe një faqe muri plotësisht e shkatërruar. Aksioni i ka lënë të turpëruar autoritet pakistaneze. Sipas kryeministrit britanik, David Kameron, Pakistani duhet t’u përgjigjet shumë pyetjeve, pasi shtëpia luksoze e Bin Ladenit u gjet vetëm qindra metra larg Akademisë më të lartë Ushtarake të këtij vendi. Edhe ministri i Jashtëm francez, Alan Jupe, tha se pozicioni i Pakistanit mbetet i dyshimtë. Ai priti dje në Paris kryeministrin pakistanez, Jusuf Raza Gilani. “E kam të vështirë të shpjegoj se si një njeri si Bin Laden ka mundur të jetojë i qetë në kompleksin e tij një milion dollarësh, në një qytet relativisht të vogël, pa u vënë re nga askush. Është një temë më shumë pyetje”, tha ai. Do të zhvillohet edhe një takim në Uashington me Presidentin Obama dhe zyrtarët më të lartë pakistanezë dhe afganë.
Sipas autoriteteve në Islamabad, Shërbimet Sekrete pakistaneze kanë ndarë me CIA-n informacione mbi kompleksin e Bin Ladenit që nga viti 2009. Ministria e Jashtme pakistaneze “mohon kategorikisht” se mund të ketë qenë e informuar për sulmin amerikan. Autoritetet e Islamabadit afirmojnë se kanë disa nga familjarët e Bin Ladenit, të cilët “do të trajtohen në përputhje me ligjet”. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme pakistaneze, “disa prej tyre kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Më pas ata do të kthehen në vendet e tyre të origjinës”. Pakistani e ka dënuar veprimin e njëanshëm të SHBA-së dhe kërkon që kjo të mos bëhet precedent. Ndërkohë, kreu i CIA-s, Leon Paneta, shpjegoi se SHBA nuk e ka njoftuar Pakistanin për sulmin ndaj Bin Ladenit, nga frika se terroristi mund të lajmërohej për kërcënimin. Në një intervistë për “Time”, Paneta tha se kishte 60-80 për qind  mundësi për të gjetur Bin Ladenin në kompleks.

Telefonata

Kryeministri britanik, David Kameron, tha se kishte një “parandjenjë” se Bin Laden ishte vrarë, kur ishte zgjuar në 3:00 të mëngjesit për të marrë një telefonatë në lidhje me terrorizmin nga zoti Obama. “Nuk ndodh çdo ditë që të zgjohesh në mes të natës nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Pse u dogj helikopteri i rrëzuar në aksion

Mbeturinat e copave të djegura nga helikopteri i rrëzuar amerikan “Black Hawk” i përdorur nga Forcat Speciale që goditën Osama Bin Laden, qëndrojnë të braktisura në kompleksin e tij. Fotot e helikopterit tregojnë se si ishte shkatërruar ai në fund të misionit nga “US Navy Seals”. Ushtarët kishin kuptuar se helikopteri, një prej katër të përdorur në mision, për shkaqe mekanike u rrëzua në tokë dhe më pas iu vu flaka me dashje për të mos lënë asgjë pas. Ushtarët u larguan me një helikopter tjetër në fund të misionit, bashkë me trupin e Bin Ladenit.

Çfarë është grupi i ushtarëve “Seal Team Six”

Grupi special i zhvillimeve ushtarake të flotës së Shteteve të Bashkuara (NSWDG), i njohur zakonisht si DEVGRU dhe jozyrtarisht me ish-emrin e tij “Seal Team Six” (ST6), është një nga dy grupet e misioneve të fshehta të Shteteve të Bashkuara “Tier One” në luftën kundër terrorizmit dhe Misioneve të Njësisë Speciale (SMU), ku grupi tjetër është 1SFOD-D (Delta Force). Shumica dërrmuese e informacionit rreth DEVGRU është e klasifikuar dhe shumë detaje të veprimtarive të tij nuk komentohen as nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga Departamenti i Mbrojtjes. DEVGRU mbështetet administrativisht nga Përfaqësuesi Special i Komandës detare luftarake, si ekipet e tjera speciale Seal. Ekipi merr urdhra  operative nga përfaqësuesi Special i Komandës së përbashkët të Operacioneve. Origjina e ST6 daton me Operacionin “Eagle Claw”, përpjekja e dështuar e vitit 1980 për të shpëtuar pengjet amerikane në Ambasadën Amerikane në Iran. Grupi përdoret për operacionet më të rrezikshme dhe më sekrete. Ata njihen si ekipi elitë amerikan dhe janë të super-trajnuar.

© Panorama.al

Te lidhura