“Kurum”, presion qeverisë për energjinë

Jan 13, 2012 | 12:32

ELBASAN – Mungesa e energjisë pezullon punën në “Kurum International” të Elbasanit dhe për pasojë, rreth 700 punonjës kanë përfunduar në rrugë. Shkak për krijimin e kësaj situate është bërë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike të saj. Sipas burimeve zyrtare, aktualisht në këtë kompani është ndërprerë punën në uzinat e çelikut dhe petëzimit, por për pasojë pezullohet dhe aktiviteti në atë të oksigjenit, gëlqeres etj. Në një njoftim të kompanisë thuhet se “për shkaqe të paparashikuara nga punëdhënësi “Kurum International”, të cilat kanë të bëjnë me arsye objektive të mungesës së energjisë elektrike, me gjithë përpjekjet e bëra për sigurimin e saj brenda dhe jashtë vendit, detyrohet të pezullojë punën në të gjithë sektorët industrialë të saj për tre muaj. Për rrjedhojë, të gjithë të punësuarit në këtë kompani, që llogariten mbi 700 persona, do të ndërpresin marrëdhëniet e punës dhe të paguhen me 60 % të pagës aktuale përkohësisht. Më pas, për të gjithë punonjësit e “Kurum International” do të ketë një ndërprerje të plotë të marrëdhënieve të punës me këtë kompani”. Me anë të kësaj deklarate, kompania i ka bërë presion qeverisë për të siguruar energji nga KESH. Ndërkaq, Kryesia e Këshillit Sindikal të Elbasanit ka planifikuar që sot paradite të zhvillojë një protestë të fuqishme në qendër të qytetit të Elbasanit. Aktualisht, në këtë zonë industriale për këto shkaqe puna është paralizuar në të gjithë sektorët e saj. Përgjigja më e fundit që kjo kompani ka marrë nga distributori i shpërndarjes apo KESH-i ka qenë se aktualisht dhe në vijim nuk mund të plotësohen nevojat e furnizimit me energji në kuotat e kërkuara nga kompania turke “Kurum International”. m.s

Ligji për energjinë
Ndryshimet që u miratuan vitin e kaluar në ligjin “Për disa ndryshime në sektorin e energjisë” detyrojnë të gjithë klientët që furnizohen direkt nga linjat me tension 110 kv e sipër, si dhe ata që kanë një konsum vjetor mbi 50 milionë kwh të sigurojnë të vetëm energjinë nga tregu. Kjo në fakt do të ulë ndjeshëm energjinë që CEZ dhe KESH duhet të sigurojnë për konsumin brenda vendit, duke ndikuar kështu direkt dhe te kostoja e importit.

© Panorama.al

Te lidhura