Kurti takohet me Koordinatorin O’Malley: Mbështetja e OKB-së, thelbësore për të ardhmen e Kosovës!

Sep 15, 2025 | 13:39

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Koordinatorin e ri për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Stephen O’Malley, të cilin e uroi për emërimin dhe i shprehu mirëseardhjen.

kurti

Sipas një njoftimi për media, Kurti vlerësoi lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me ekipin e OKB-së në Kosovë (UNKT), si partner të besueshëm në forcimin e qeverisjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ai e falënderoi për mbështetjen afatgjate të dhënë për Kosovën, informon Telegrafi.

“Gjatë takimit u theksuan disa prej bashkëpunimeve më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit, edukimin e hershëm, trashëgiminë kulturore e banimin social. U ritheksua gatishmëria e qeverisë për të thelluar partneritetin me UNKT në drejtim të: zhvillimit të kapitalit njerëzor përmes arsimit gjithëpërfshirës, shëndetësisë cilësore, mbrojtjes sociale, sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë”, thuhet në njoftim.

Në fund, kryeministri Kurti shprehu bindjen se udhëheqja e O’Malley do ta avancojë partneritetin ekzistues në një nivel edhe më të lartë gjatë ciklit të ri të planifikimit 2026–2030, duke u bazuar në parimet e përbashkëta të gjithpërfshirjes, barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut.

© Panorama.al

Te lidhura