
Avokati i Popullit: Dhuna e policisë, përzgjedhëse dhe joproporcionale
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur deklaratës së BE-së, duke u shprehur se “ne nuk jemi kundër, por plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Europian”. Siç thekson ai, të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian janë shtete, të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre përmes reciprocitetit. Kurti theksoi se kundërshtimet që shtetet e Kuintit kanë shfaqur me rastin e protestës së 14 janarit, kanë qenë të ndikuara nga qeveria e Kosovës, e cila, siç u shpreh ai gjatë tërë kohës, edhe para protestës ka folur për dhunën, pa e përmendur askush më parë. Gjatë një interviste për “REL”, Kurti tha se Kuvendi i Kosovës është institucion, i cili është i rrezikuar dhe i cenuar nga qeveria e Kosovës, për shkak se kjo e fundit nuk i përfill vendimet e tij.
“Arrest shtëpie”
Aktivistët e Vetëvendosjes të arrestuar në Podujevë gjatë aksionit të 14 janarit janë privuar të marrin pjesë në protestën e së dielës. Gjykata e Podujevës ka vendosur të martën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 15 ditë, për nëntë aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”, për shkak të pjesëmarrjes në protestën e 14 janarit. Prokurori i çështjes tha se “të pandehurit, përveç që kanë penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, kanë kundërshtuar urdhrat e policisë. Ata kanë gjuajtur me gurë dhe mjete të tjera të forta”. Pala mbrojtëse ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve, pasi kishte kaluar afati i paraburgimit prej 48 orëve dhe në këtë rast Gjykata ka shkelur ligjin, duke i mbajtur ata në arrest më tepër se 48 orë.
Irritimi i Kacin
Reagimet ndërkombëtare për protestën e 14 janarit dhe paralajmërimet për një tjetër tubim në 22 janar vazhdojnë. Zëvendëspresidenti i delegacionit europian për marrëdhëniet ndërmjet pesë shteteve të rajonit, Jelko Kacin, edhe pse mohoi heqjen e paraleleve, tha se protesta e 14 janarit i ngjante asaj që ndodhi para disa muajsh në Veri të Kosovës, ku serbët bllokuan rrugët kryesore me barrikada. “Kjo ishte një demonstratë që promovon izolimin e Kosovës, me të cilën synohej çorientimi i Kosovës nga përpjekjet për integrim europian”, theksoi Kacin. Ai sugjeroi që aksioni i 22 janarit të mos bëhet në Merdarë, por në kufirin me Shqipërinë. “Ai (Albin Kurti) ka thënë, po ju citoj juve, se është në favor të tregtisë. Andaj, nëse është kështu, le të nisë kjo në ndonjë kufi tjetër, e jo në kufirin me Serbinë”, tha Kacin.
Avokati i Popullit
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, e vlerësoi ndërhyrjen dhe dhunën e policisë më 14 janar në Merdarë dhe Dheun e Bardhë, gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, si të panevojshme, të pajustifikueshme dhe joproporcionale. “Pjesëtarët e njësisë speciale kanë përdorur dhunë edhe gjatë transportimit të të arrestuarve, madje edhe në stacionin policor në Podujevë, në praninë e përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, të cilët në një moment janë kërcënuar dhe penguar në kryerjen e punës së tyre nga ana e pjesëtarëve të njësisë speciale”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit. Sipas tij, në fillim arrestimet janë bërë në mënyrë përzgjedhëse, me fokus të veçantë tek organizatorët, sidomos deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të pranishëm në protestë, ndaj të cilëve është përdorur dhunë, ndërkohë që policia ka përdorur dhunë edhe ndaj një përfaqësuesi të medias.
Mblidhet NATO
Komiteti Ushtarak i NATO-s, i përbërë nga përfaqësuesit e vendeve anëtare të Aleancës dhe Partneritetit për Paqe, do të mblidhet të mërkurën në Bruksel për të diskutuar mbi situatën në Kosovë. Sipas “REL”, në sesionin për Kosovën, të pranishëmve do t’u drejtohen komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Erhard Dreus dhe shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac, ku vëmendja do të fokusohet tek situata në Veri, pas protestës së 14 janarit, kur Lëvizja Vetëvendosje tentoi të bllokonte hyrjen e kamionëve me mallra serbe.











