Kurti “zgjerohet” në Tiranë: Të bllokojmë mallrat serbe

Jan 12, 2012 | 12:20

Vetëvendosja gjatë konferencës, dje në Tiranë

Lëvizja “Vetëvendosje” fton shqiptarët të protestojnë në kufi me Serbinë.

Albin Kurti në Tiranë: Të jemi shtete të barabarta me Serbinë, qeveria Thaçi të zbatojë masat e reciprocitetit.

Mijëra qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria pritet të marrin pjesë në protestën e ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka si synim të nxisë autoritetet kosovare të zbatojnë masat e reciprocitetit me Serbinë. Sipas organizatorëve të Lëvizjes Vetëvendosje, bllokimi i pikave të kalimit kufitar me Serbinë do të zgjasë deri sa qeveria e Kosovës të marrë masa për respektimin e plotë të reciprocitetit me një vendim të rregullt. Qytetarët do të qëndrojnë 24 orë në rrugë për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.
Ndërsa gëzon një mbështetje të gjerë mbarëpopullore në Kosovë dhe u zgjodh si personazhi i vitit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, erdhi dje në Tiranë për të kërkuar edhe mbështetjen e shqiptarëve të Shqipërisë për t’i treguar Serbisë se në Kosovë nuk kalon. Kjo është motoja e protestës paqësore, që do të organizohet prej Vetëvendosjes: Serbia nuk kalon! Në Shqipëri nismat e kësaj lëvizjeje po mbështeten nga Aleanca Kuqezi. Dy pikat doganore me Serbinë do të bllokohen nga protestuesit në tubimin e tyre paqësor, për të kërkuar zbatimin e masave për të cilat Kuvendi në Prishtinë i miratoi me mbështetjen e shumicës më 7 janar, e ende nuk po i vë në zbatim: reciprocitet i plotë politik ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nxitja e prodhuesve vendorë për të zëvendësuar produktet serbe në tregun e Kosovës dhe forcimi nga qeveria i mekanizmave shtetërorë për të zbatuar këtë marrëveshje. Sipas Albin Kurtit, aksioni nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por me të gjithë shqiptarët kudo që janë. “Reciprociteti është thelbi i barazisë dhe vetëm barazia sjell marrëdhënie të mira. Serbia nuk është shtet normal dhe as fqinj i zakonshëm. Në Kushtetutën e tyre shkruhet se Kosova është pjesë e Serbisë”, tha Kurti, duke kërkuar barazi mes dy shteteve. Ai shtoi se “Më shumë ka shqiptarë në Serbi, sesa serbë në Kosovë dhe ata janë të diskriminuar e të persekutuar edhe 12 vjet pas luftës në Kosovë”. Kurti kërkoi stimulimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi sipas tij, në zbatimin e përkohshëm të masave të reciprocitetit me Serbinë, prurjet e mallrave shqiptare në Kosovë ishin dyfishuar dhe po ashtu futja e produkteve shqiptare në treg. “Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që i përkasin kombit shqiptar, që është edhe më i madh se këto dy shtete. Duhet të mbrohemi, pasi vetëm kësisoj kombi do të jetë i qëndrueshëm dhe i fuqishëm. Kosova dhe Shqipëria duhet të bëhen komplementare ekonomikisht, kjo do të ishte në favor të të gjithë shqiptarëve”, theksoi Kurti. “U bëjmë thirrje që të bashkohen më 14 janar, pasi me mbrojtjen e kufirit mbrohet kombi shqiptar”, tha ai. Sipas Vetëvendosjes, të dhënat tregojnë se në Kosovë 15 për qind të tregut e zotëron Serbia, ndërsa Shqipëria ka vetëm 3 për qind të tij. Në fjalën e tij, Kurti akuzoi Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministrin Bajram Rexhepi se po tolerojnë strukturat paralele në territorin e Kosovës.

Reagon Kryeministri kosovar
Thaçi: Vetëvendosja vetëfundosje, Aleanca Kuq e Zi, Aleancë faqezi

Hashim Thaçi

Reagimi i Kryeministrit Hashim Thaçi pas vizitës së Albin Kurtit në Tiranë ishte tejet i ashpër. Thaçi kërkoi mbështetje nga të gjithë shqiptarët për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Si kurrë më parë, Thaçi e ka cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si vetëfundosje dhe Aleancën Kuq e Zi që po e mbështet atë, si Aleancë faqezi. Për këtë të fundit iu referua thënies së Kryeministrit Sali Berisha. “Ata nuk janë Vetëvendosje, por vetëfundosje. As kuq e zi nuk janë, por siç ka thënë Kryeministri Berisha, janë faqezi”, reagoi Kryeministri Thaçi, dje pas mbledhjes së kabinetit të tij. Aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka fituar mjaft mbështetje mbarëpopullore,  me liderin Albin Kurti që u vlerësua si personazhi i vitit, Thaçi e ka cilësuar si një përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë.
Kryeministri i Kosovës pas mbledhjes së qeverisë shprehu besimin se qytetarët e Kosovës nuk do t’i përgjigjen ftesës së Vetëvendosjes për t’i bllokuar pikat kufitare, ndërkohë që e paralajmëroi Vetëvendosjen dhe të gjithë ata që do t’i bashkohen kësaj lëvizjeje për të marrë pjesë në protestë, se veprimet e dhunshme do të jenë të papranueshme. Thaçi i ka quajtur anëtarët e Vetëvendosjes si pseudopatriotë. “Këtyre pseudopatriotëve të rrejshëm u ka mbetur merak që nuk e kanë veshur uniformën e UÇK-së në kohën kur është dashur”, tha Thaçi, duke shtuar më tej se “patriotizmi sot është respektimi i Kushtetueses dhe ligjeve të Kosovës dhe jo bllokimi i rrugëve dhe pikave kufitare”.
“Ky model serb i aplikuar në Veri nuk duhet të kopjohet nga partitë dhe njerëzit që synojnë pushtetin, sepse pushteti fitohet me vota dhe jo me dhunë. Nuk duhet të kopjohet Zvonko Veselinoviqi, nga i cili është distancuar edhe Serbia”, ka deklaruar Thaçi.

Serbia, kundër referendumit
Sekretari për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, u ka bërë thirrje serbëve të Veriut të Kosovës që të heqin dorë nga mbajtja e referendumit për pavarësi, pasi në këto momente, sipas tij, nuk është i nevojshëm. Ivanoviç tha se 95 për qind e banorëve në Veri nuk dëshirojnë kurrfarë lidhjesh me institucionet e Prishtinës. “Do të ketë sigurisht ende sfida dhe ajo që është e sigurt, nuk kemi tjetër alternativë përpos pushtetit në Serbi”, tha Ivanoviç, duke shtuar se me Prishtinën është vështirë të ketë komunikim më të mirë dhe po ashtu është  me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët sipas tij, në situata kritike janë sjellë njëanshëm. Ivanoviç paralajmëroi se organizimi i një referendumi nga krerët e strukturave paralele të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të nxiste marrëdhënie të këqija me Serbinë.

© Panorama.al

Te lidhura