Kursi i këmbimit, leku bëhet i fortë nga emigrantët

Dec 27, 2011 | 12:01

Një euro u këmbye me 137.49 lekë. Gjatë dhjetorit, kursi më i lirë.

Çdo fundvit kthimi i emigrantëve shoqërohet me zhvlerësim të euros ndaj lekut. Duket se “rituali” po përsëritet edhe këtë vit, megjithëse duhet theksuar që efekti ka qenë më i kufizuar. Muajin e fundit kurba që ka ndjekur vlera e monedhës europiane ndaj lekut ka qenë me luhatje të theksuara. Kështu, në datat 4 dhe 5 dhjetor, euro arriti nivelin më të ulët të tij ndaj lekut dhe u këmbye me 136 lekë. Ky efekt zgjati vetëm një ditë dhe pas kësaj monedha europiane, e cila për një kohë të gjatë në këtë vit qëndroi me një vlerë mbi 140 lekë, filloi të fitojë prapë pikë në rritje. Për pothuajse dy javë, kursi i këmbimit të euros ka vijuar të jetë mbi 138 lekë, ndërkohë që dje kursi ndryshoi sërish dhe euro u shkëmbye në nivelin 137 lekë për një euro.
Efekti zinxhir
Ulja e normës së interesit të Bankës së Shqipërisë për lekun pak kohë më parë pritej që ta zhvlerësonte atë më shumë përballë monedhës europiane. Por nuk ndodhi kështu. Euro gjatë kësaj periudhe, e gjendur përballë presioneve të krizës së borxhit të disa prej vendeve të Bashkimit Europian, u zhvlerësua në fillim të nëntorit. Banka Qendrore Europiane mori vendimin për të ulur normën me 0.25 pikë përqindje dhe, nga 1.5 për qind që ishte norma e interesit të euros, të ulej në 1.25 për qind. Ulja e normës së euros për të ndihmuar vendet me borxhe të lehtësohen, u shfrytëzua njëkohësisht edhe nga Banka e Shqipërisë që të ulte normën e interesit të lekut për të ndihmuar ekonominë me financim.
Euro dhe USD
Por ndërkohë që në Shqipëri euro është zhvlerësuar ndaj lekut, krejt e kundërta ka ndodhur me shkëmbimin euro-dollar. Dje, monedha europiane ka shënuar nivelin më të lartë të këmbimit me dollarin. Sipas Reuters, për shkak se bursa e Londrës dhe ajo e Nju Jorkut nuk ishin në funksion të plotë për shkak të festave në tregun aziatik që ishte aktiv, euro shënoi nivelin më të lartë të këmbimit me dollarin në 11 muajt e fundit. Një euro u këmbye me 1.30 dollarë, ndërkohë që më herët këmbimi varionte në nivelet 1.29 dollarë. Kjo rritje e euros në tregje ka qenë surprizë për një pjesë të ekspertëve, të cilët prishnin një forcim të monedhës amerikane në kohën kur një nga vendet e BE-së, siç është Italia, ka shfaqur situatë të rënduar të borxhit dhe po bëhet gati të shesë eurobond këto ditë.

Kursi mesatar i kembimit leke/euro per 2011

136 leke
u shkëmbye një euro në datën 5 dhjetor, një nivel ky ndër më të ulëtit që ka shënuar monedha europiane prej kohësh në kursin e këmbimit në vendin tonë

4.75 per qind
është norma e interesit të lekut, që u ul nga Banka e Shqipërisë në fund të nëntorit. Në fillim të po këtij muaji, BQE uli normën e interesit për euron

Fullani: S’është koha të këmbeni valutë
Dyndjes së madhe të qytetarëve për të kthyer eurot në lekë, për shkak të nivelit në të cilën ra kjo monedhë në fillim të dhjetorit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë iu drejtua me këshillën për më shumë kujdes. Sipas tij, ky nuk është momenti për të këmbyer valutë dhe se përpara çdo nisme të tillë do të ishte mirë të konsultoheshe me profesionistët, pasi vetëm ata mund të japin një ide më të qartë mbi ecurinë pasuese të kursit. “Nuk është koha për të këmbyer valuta. Një lajm u kuptua në këtë mënyrë apo një lajm tjetër do t’ju sjellë një risi tjetër. Përpara se të marrësh një informacion apo një lëvizje, konsultohu një herë me profesionistët, konsultohu një herë me bankën tënde”, tha Fullani. Këshilla e guvernatorit erdhi pas konfuzionit që u shkaktua mbi ecurinë e euros, ku shumë qytetarë duke menduar se vlera e tij do të binte edhe më shumë, filluan të kthenin paratë e tyre në monedhën vendëse.

Kursi i kembimit leke/euro per dhjetorin 2010-2011

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 
Rritet deficiti, më shumë valutë për mallrat e konsumit
Raporti i rritjes importe-eksporte edhe për nëntorin ka qenë në favor të të parave, çka reflekton direkt rritje të valutës së çuar jashtë për  blerjen e mallrave të konsumit. Të dhënat e Institutit të Statistikave reflektojnë një ulje të eksporteve për muajin nëntor me 1.8 për qind krahasuar me tetorin dhe një rritje me 18 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë eksportet në muajin e 11-të të vitit ishin 16.8 miliardë lekë. Ndërkaq, importet krahasuar me tetorin kanë pasur një ulje më të vogël sesa ajo e eksporteve, me vetëm 0.2 për qind më pak, kurse krahasuar me një vit më parë, kemi rritje me 17.1 për qind. Në vlerë monetare ato kapën nivelin 47 miliardë lekë. Deficiti tregtar i muajit nëntor është rritur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke kapur vlerën 300 milionë dollarë. Një vit më parë, ky deficit ishte 17.5 për qind më i ulët. Ndërkohë, ndryshimi i deficitit krahasuar me një muaj më parë paraqitet me një rritje modeste prej 0.6 për qind.

300 milione usd
është deficiti tregtar i muajit nëntor, sipas të dhënave të INSTAT. Ky deficit është rritur me 17.5 për qind krahasuar
me të njëjtën periudhë të një viti më parë

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura