Kurbini, si fituan socialistët pas 21 vitesh me diferencë të thellë

May 11, 2011 | 10:33

Kurbini do të ketë tashmë në krye Bashkisë një kryebashkiak të majtë. Rezultatet e numërimit të votave nga KZAZ e këtij qyteti kanë nxjerrë fitues Artur Bardhin, kandidat i Aleancës për të Ardhmen, i cili ka përmbysur edhe mitin e të djathtës në këtë bashki ku kishte 21 vite që nuk humbte. Fitorja e Bardhit sipas votave vlerësohet të jetë me një diferencë të madhe votash karshi kundërshtarit të tij të Aleancës për Qytetarin. Për Bashkinë e Kurbinit Partia Demokratike zgjodhi Bardh Ricën përballë Artur Bardhit, i cili i ka marrë fitoren kundërshtarit me 2257 vota më shumë. Të dhënat zyrtare të KZAZ -së Kurbin tregojnë se Artur Bardhi ka marrë 6247 vota, ndërsa Bardh Rica ka marrë 3990 vota. Ky është edhe rezultati më i thellë që është shënuar ndonjëherë mes dy forcave politike duke thyer rekordin e vitit 1992 kur kandidati i PD-së ka fituar me një diferencë prej 1980 votash karshi kundërshtarit. Për Artur Bardhin duket se fitorja nuk ka qenë një surprizë. Menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave ai është shprehur se e priste një rezultat të tillë dhe fitoren e tij të cilën theksoi se do ta vendosë në shërbim të qytetarëve dhe problemeve të tyre. Kjo fitore e kandidatit të Aleancës për të Ardhmen është reflektuar edhe në numrin e këshilltarëve të marrë në bashki ku nga numërimi i votave rezulton të jetë 11 në ndryshim nga tre që janë marrë historikisht. Kurbini. I cilësuar si një bastion i hershëm blu këtë herë ka bërë një ndryshim total që dukej si i pamundur nëse shohim të gjitha zhvillimet në 21 vite. Që nga viti 1990 ai i ka besuar kandidatëve të djathtë të qeverisin pushtetin vendor. Në zgjedhjet parlamentare vetëm një mandat është fituar nga kandidati i Partisë Socialiste, Ali Isaku, në këtë qytet në vitin 1997.        r.n

© Panorama.al

Te lidhura