
Lideri i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë së shpejti Maqedoninë. Pjesë e axhendës është promovimi i librit të tij “Kurban” në Shkup dhe Tetovë.
Por, krahas promovimit të librit, Rama gjatë vizitës së tij do të zhvillojë takime me liderët e partive politike shqiptare, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarin e PDSh-së, Menduh Thaçi.
Promovimi i librit të tij është paralajmëruar nga vetë Rama përmes rrjeteve sociale të internetit, ku siç bëhet e ditur promovimi i parë do të ndodhë të shtunën në Shkup në Qendrën teatrore për fëmijë, ndërsa të dielën në Tetovë.
Jo zyrtarisht mësohet se Rama nuk do të përjashtojë edhe takimin me kreun e Lidhjes Socialdemokrate, Branko Cërvenkovski, por nuk janë dhënë detaje mbi agjendën e tij në planin politik. Rama do të qëndrojë në Shkup pas vizitës së tij në Kosovë, ku pasoi promovimi i librit të tij dhe takimet me krerët shtetëror dhe partitë politike. (INA)
© Panorama.al











