BUJAR HUDHRI
Me replikën e tij me titull “Nuk i takoj qytetërimit të gënjeshtrës”, A. Vinca nuk ka bërë asgjë tjetër, vetëm sa e konfirmon me fjalët e veta, se i përket pikërisht atij lloj qytetërimi. Pa mundur të japë asnjë përgjigje për pyetjet që i kam drejtuar, më vërsulet në shkrimin e tij të mbushur me fyerje, sharje, të pavërteta, trillime, duke iu shmangur qëllimisht thelbit të polemikës.
Nuk iu përgjigj dot pyetjeve: përse nuk duhej të takohej Kadare me Rugovën, presidentin legjitim të Kosovës së pavarur? Përse nuk duhej të pajtohej Kadare me Demaçin?
Kishte, pra, dy modele të qarta se si personalitete të rangut Kadare, Rugova, Demaçi i kapërcyen keqkuptimet, dhanë një shembull të rrallë për qytetarët e sotëm shqiptarë, aq shumë të lodhur nga ndarjet, urrejtja, përçarjet. Por i gjithë nervozizmi i tij, që lexohej qartë në të dy shkrimet, ishte për të nxjerrë të pabesueshëm krejt librin e kujtimeve të H. Kadaresë.
Por, t’i drejtohemi replikuesit.
Gjysma e replikës së tij është ribotimi i një shkrimi teorik se si mund të pajtohen Qosja me Kadarenë. Po përse i sillet rrotull, nuk kapet thelbi i çështjes? Nuk përgënjeshtrohen, madje as përmenden dy letrat e Qosjes drejtuar Kadaresë më 1997.
Ja si i devijon faktet në replikën e A. Vincës:
«Kur jemi këtu, të shtojmë se, ndryshe nga ç’pohojnë Helena e Bujari dhe, natyrisht, edhe vetë kryepersonazhi i librit “Kohë e pamjaftueshme”, i quajtur “Is” në faqet e tij, Qosja dhe Kadareja nuk “u prishën” në ‘97-n dhe as për shkak të ’97-s. Jo. E vërteta është krejt tjetër nga ç’e paraqesin ata, secili veç e veç dhe që të tre së bashku. Prishja ndodhi shumë vjet më vonë dhe, më shumë sesa për arsye parimore, për motive të tjera, në radhë të parë për shkak të kapriciove të njërit dhe të tjetrit.»
Këmbëngulja e replikuesit më detyron të jem gjithashtu këmbëngulës. Ja teksti i zonjës Kadare, në librin e saj:
«Pavarësisht ç’kishte ndodhur më parë, gëzimin e Qosjes për shkatërrimin e shtetit shqiptar, në pranverë të vitit 1997, Ismaili nuk do t’ia falte kurrë. Siç ma shpjegoi, nuk ishte vetëm ana morale dhe patriotike. Ngazëllimi i Qosjes i dukej i papranueshëm, në radhë të parë, nga ana njerëzore.»
Z. Vinca vazhdon në replikën e tij:
“Në korrik të vitit 1998, pra më se një vit pas ngjarjeve të ’97-s, në Tiranë, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar u bë përurimi i librit “Kombi”. Kishin ardhur socialistët në pushtet, pas “revolucionit të vonuar demokratik” dhe Qosja e Kadareja ishin bashkë jo vetëm në tribunë, por edhe në ndeja, dreka, darka e gjetkë. Dhe jo një orë a dy, por dy-tri ditë të gjata e të nxehta vere.”
Kaq shumë pasaktësi vetëm në një paragraf! Gjithçka është deformuar fund e krye. Përurimi i një libri nuk zgjat më shumë se dy orë, kjo dihet nga të gjithë. Shto dhe dy orë po atë mbrëmje, një darkë në restorantin e z. E. Bardha, ku ishim të pranishëm mbi 50 veta! Kaq e gjitha! Ja, të themi, pesë orë. Nga dolën këto “dy-tri ditë të gjata e të nxehta vere!” Sikur Kadare e Qosja ishin në ndonjë kamp pushimi, a ndonjë plazh! Veç kësaj, në tribunë, përveç Qosjes dhe Kadaresë, ishin mbi dhjetë veta.
Argumenti tjetër më duket po aq i pathemeltë:
“Një vit më vonë, në nëntor 1999 u mbajt në Prishtinë Panairi i parë i Librit pas çlirimit të Kosovës. Me atë rast, në mjediset e Panairit u bë promovimi i librit “Ra ky mort e u pamë”. Për librin foli, sipas marrëveshjes së bërë një natë më parë, Rexhep Qosja. Fola edhe unë si i paparaparë, për të mos dështuar promovimi, duke marrë përgëzime nga autori”.
Si flet për dështim? Libri “Ra ky mort e u pamë” i I. Kadaresë ishte libri më i shitur në panairin e Prishtinës, dhjetor 1999! Shfleto shtypin e atyre ditëve, shiko kronikat televizive! Si shkruan kaq papërgjegjësi? Si përmbys gjithçka? Dhe përsëri skena idilike, por tashmë janë ditë dimri, në Prishtinë.
“Kishte dy vjet e gjysmë që kishte ndodhur ’97-a dhe Kadareja me Qosjen ende flisnin bashkë. Mund të thuhet, madje, se ishin shumë të përzemërt me njëri-tjetrin, më të përzemërt se kurrë ndonjëherë më parë!”
Kjo sjellje normale midis dy intelektualëve tregon se mosmarrëveshjet e tyre kanë qenë jo për arsye private, por parimore.
Shpjegimi i z. Vinca është i ndryshëm.
“Prishja ndodhi shumë vjet më vonë dhe, më shumë sesa për arsye parimore, për motive të tjera, në radhë të parë për shkak të kapriciove të njërit dhe të tjetrit.”
Do të donim të dinim se ç’paskan qenë këto kapricio. Të gëzohesh që po digjet vendi yt? Të pranosh që ke gjysmën e identitetit të ish-pushtuesit tënd aziatik? Nuk mendoj se këto quhen kapricio.
Por ajo që më brengos më shumë në replikën e z. Vinca, është fakti që jo vetëm nuk kërkon ndjesë për fjalët fyese ndaj zonjës Kadare, por shkon edhe më tej. Ja si e justifikon sjelljen e tij z. Vinca:
E si mund të flasë për mikpritjen një njeri që nuk e di kuptimin e fjalës “bujtës”? Sipas Hudhrit, unë dhe miku im, N. Kryeziu, që kemi qenë në një vizitë të shkurtër te familja Kadare, ku kemi qëndruar një copë herë dhe kemi pirë kafe (pa u treguar për asnjë çast bukëpërmbysës), paskemi bujtur aty. Kultura gjuhësore e këtij njeriu është aq e mjerë, sa ai nuk e di kuptimin e fjalës “bujtje”. Këtë së paku ka mundur ta mësojë nga shkrimtari i tij! Por, ngaqë s’e ka mësuar deri më sot, le ta mësojë së paku tani! Sipas “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë 1980, f. 190, fjala “buj”, ka kuptimin: “kaloj natën ose rri për disa ditë diku si mysafir”. Ja sa i saktë është Bujar zeza dhe sa mund t’i besohet atij!”
Dhe z. Vinca e mbyll këtë pjesë të tekstit me një argument, tashmë linguistik. Për të treguar kulturën time gjuhësore, më shpalos faqen 190 të fjalorit të gjuhës shqipe sepse, sipas tij, nuk di fjalën buj, dhe pasi më vendos përballë Kadaresë, deklaron si zbulim: “Këtë, së paku, ka mundur ta mësojë nga shkrimtari i tij!”
Por këtu le të ndalemi pak:
Së pari, Ismail Kadare nuk është shkrimtari im, por i gjithë letërsisë shqipe, nga Barleti deri sot, dhe një nga më të mëdhenjtë e letërsisë botërore sot.
Së dyti, nuk kam bërë asnjë gabim gjuhësor kur të shkruaja: “keni bujtur”! Thjesht, kam dashur t’ju nderoj ju, me bashkudhëtarin tuaj. Si dy poetë që jeni, mendoja, vizita në shtëpinë e një shkrimtari të madh do t’ju dukej ndryshe në kohë! Por, sidoqoftë, ky gabim imi nuk e ndryshon dot faktin që keni hyrë dhe jeni mirëpritur në një shtëpi të nderuar.
Në të dy shkrimet e mia nuk kam fyer asnjë njeri. Ndërsa në replikën e tij z. Vinca ja se me çfarë fjalësh më drejtohet përpara lexuesit: [si të fliste jerm / si njeri që ende nuk i ka dalë plotësisht pija / në shkrimin e tij çapraz / shkruan pa fije turpi / ashtu mahmurshëm / më mban ders derdimeni / të shkruar si me këmbë / Bujar zeza / shihni deri ku arrin pafytyrësia e këtij njeriu / një sjellje e tipit mafioz / polemikë të pistë / punë të pista prej lakuriqësh të natës etj., etj.]
Duke e pasur të pamundur t’ia kthej me të njëjtat fjalë, po e mbyll këtë replikë time të fundit me të njëjtën fjali të shkrimit të javës së kaluar: Agim Vinca ka thyer çdo rregull të mikpritjes e të qytetërimit, ndaj për të do të përdorja vetëm epitetin i paqytetëruar.











