
Qeveria e Kosovës refuzon planin e Tadiçit: Nuk i diskutojmë katër pikat
Diskutimet në takimin e djeshëm në Beograd mes kreut të delegacionit serb për bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç dhe lehtësuesit europian të dialogut, Robert Kuper, u mbyllën pa asnjë informacion për mediat. I vetmi informacion i dhënë për mediat ishte se diskutimet ishin rreth çështjes së përfaqësimit rajonal të Kosovës dhe rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun Beograd-Prishtinë. Stefanoviç tha se gjatë vizitës ai paraqiti disa propozim-modele për përfaqësimin rajonal të Kosovës, pa sqaruar konkretisht se për çfarë bëhet fjalë. Sipas komunikatës së Stefanoviç, pritet që palët të ofrojnë angazhime shtesë, në mënyrë që marrëveshjet e arritura të zbatohen në tërësi. Kryenegociatori serb shtoi se ndaj Serbisë ende vazhdojnë presione indirekte, që për përfaqësimin e Prishtinës të hiqet dorë nga rezoluta 1244, por kjo nuk pranohet nga Beogradi. Sot pritet që Kuper të mbërrijë në Prishtinë, ku gjithashtu do të ketë takime më zyrtarë të lartë të qeverisë.
Refuzohet plani
Qeveria e Kosovës hedh poshtë planin me katër pika të Presidentit serb, Boris Tadiç, i cili parashikon që në dialogun Prishtinë-Beograd të diskutohet për manastiret ortodokse dhe administrimin e tyre, për strukturat paralele serbe në Kosovë, për pronat e serbëve në Kosovë dhe për veriun e Kosovës. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të qeverisë së Kosovës, Petrit Selimi, ka deklaruar për “Deutsche Welle” se qeveria e Kosovës ka përpara një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, që përcakton qartë vijat e kuqe përtej të cilave nuk mund të zhvillohen biseda në dialogun teknik me Serbinë. “Çdo gjë që është konform pikave të planit të Marti Ahtisarit, atyre principeve që Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare janë pajtuar, është e pranueshme edhe për qeverinë e Kosovës. Por çdo gjë që është jashtë planit të Marti Ahtisarit, dhe që vë në mëdyshje statusin e Kosovës, është e papranueshme për Kosovën”, tha Selimi. Edhe kryenegociatorja Edita Tahiri e hodhi poshtë planin me katër pika të Tadiçit. “Imagjinata e Presidentit Tadiç nuk ka fund. Deri tani ka dhënë shumë plane të tilla, por qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është shumë i qartë. Ata mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe kërkojnë nga Serbia që të tërhiqet nga ndërhyrja në Kosovë dhe t’i shpërbëjë strukturat paralele”, tha Tahiri.
Në Kushtetuese
Lëvizja Vetëvendosje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar mocionin e PDK-së së Thaçit, i cila shfuqizoi ligjin e reciprocitetit politik, ekonomik e tregtar me Serbinë. Në një prononcim për KTV, deputeti Glauk Konjufca tha se subjekti politik Vetëvendosje është duke përgatitur tekstin dhe deri në fund të javës do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Miratimi i mocionit të PDK-së solli javën e kaluar rënien e atij të Vetëvendosjes, nga ku lëvizja bazonte protestat “Serbia nuk kalon”.
© Panorama.alSerbi: Kreu i ushtrisë, i dyshuar për krime lufte në Kosovë
Shefi i ri i Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviç, ka kryer krime lufte kundër civilëve në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-1999. Deklarata u bë nga Fondi për të Drejtën Humanitare, me seli në Beograd, dhe nxiti reagime të shumta në Serbi. Gjeneralkoloneli Lubisha Dikoviç u emërua në këtë post në dhjetor të vitit 2011 nga Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Por në kurriz të tij rëndojnë “krime të rënda dhe masive” të kryera në pjesën qendrore të Kosovës. Në atë kohë, Lubisha Dikoviçi vepronte si komandant i një brigade të motorizuar të ish-Ushtrisë jugosllave. Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac, i ka cilësuar të pavërteta deklaratat. Por Fondi për të Drejtën Humanitare thekson se ai vepronte në rajonin e Drenicës në Kosovën qendrore në periudhën kur atje ka ndodhur masakra në fshatin Izbicë, ku më 28 mars të vitit 1999 janë vrarë mbi 140 shqiptarë.











