KUKES – Edhe pse është dimër dhe ka reshje të shumta shirash dhe dëborë, sërish banorët e qytetit të Kukësit dhe fshatrave përreth vijojnë të vuajnë furnizimin me ujë të pijshëm. Rrjeti i amortizuar i ujësjellësit, ndërtuar 45 vite më parë, shpërdorimi i ujit dhe mospagesa në masë e tij kanë kufizuar mundësitë e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të kryejë furnizimin me ujë të qytetarëve. Jo pak, por afro 40 mijë banorë të Bashkisë dhe komunave përreth furnizohen nga Ujësjellësi i Kolesjanit. Edhe projekti i ri parashikon marrjen e ujit në Kolesjan, afro 15 km larg qytetit me vetërrjedhje. Tarracat e pallateve po rëndohen nga dita në ditë nga depozitat e banorëve. Shpresa mbetet ujësjellësi i ri, që po zvarritet si “Kalaja e Rozafës”, duke kaluar çdo parashikim në përfundimin e tij. Qeveria ka dhënë një fond prej 433 325 788 lekësh për këtë projekt që ka nisur me datë 10.7.2009 dhe që duhej të përfundonte për 18 muaj. Kontraktorët nisën punën, shtrinë tubacionet, duke dëmtuar dhe një pjesë të mirë të trotuareve dhe rrugëve në qytet, por ende nuk ka një transparencë të ecurisë së punimeve dhe ato nuk po avancojnë. Kryebashkiaku Hasan Halili kërkon transparencë nga ana e ndërtuesve, duke kërkuar dhe ndërhyrjen nga lart, që vepra e cila parashikon furnizimin pa ndërprerje me ujë të pijshëm për qytetarët e Kukësit dhe 14 fshatrat përreth tij të përfundojë. “Nëse nuk përfundon ujësjellësi i ri në bazë të projekteve që ne kemi paraqitur, Kukësi nuk do të ketë ujë asnjëherë. Shpresoj në mirëkuptimin e qeverisë shqiptare, të firmës kontraktore, të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve për të mundësuar ndërtimin e veprës në bazë të projektit. Shpresoj se qeveria në projektbuxhetin e vitit 2012, të ketë planifikuar fonde për këtë ujësjellës”, pohoi Halili. j.h











