Kukan, Topallit: Marrëveshja PD-PS, hap pozitiv dhe inkurajues

Dec 8, 2011 | 14:15

TIRANË- Hap pozitiv, inkurajues dhe konkret e ka cilësuar kreu i delegacionit të PE-së, eduard Kukan marrëveshjen e arritur mes shumicës dhe opozitës për reformën zgjedhore dhe votimin e ligjeve me 3/5. Deklarata është bërë sot gjatë takimit të delegacionit të PE dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

“Jemi shumë të lumtur që po vijnë lajme shumë pozitive nga Shqipëria. Arritja e marrëveshjeve dhe votimi i tre ligjeve me 3/5 janë hapa inkurajues dhe konkrete. Shpresojmë të vijohet në këtë klimë, në përmbushje të aspiratës integruese”- tha Kukan.

Sipas tij, mesazhi i takimit është se Parlamenti Europian mirëpret marrëveshjet e arritura mes partive politike. Jemi të lumtur që këto marrëveshje u arritën në Parlament. “Ne vlerësojmë kontributin tuaj, si Kryetare e Parlamentit, rolin tuaj pozitiv dhe duam të besojmë se kjo klimë do të vijojë. Kemi ardhur këtu t’ju rikonfirmojmë se në Parlamentit Europian gjërat po lëvizin pozitivisht për Shqipërinë dhe jemi të gatshëm të kontribojmë që kjo atmosferë të vijojë në këtë trend pozitiv”, tha zoti Kukan.

Topalli, duke falenderuar delegacionin për mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë, tha se “si Kryetare e Parlamentit ndihem e lehtësuar që klima politike në parlament  tashmë është normale dhe se pas dy vitesh bojkoti opozita i është kthyer punës. Pas dy vitesh bllokimi opozita po punon në komisionet parlamentare dhe po merr pjesë në votime në seancat plenare. Kemi miratuar 3 kode që kërkojnë 3/5-tat, kemi ngritur komisionin për reformën zgjedhore, ashtu si edhe grupin e punës për Rregulloren, që do të bazohet në Rregulloren e Parlamentit Europian, me konsensusin e të gjitha palëve”- theksoi ajo.

Kryetarja e Kuvendit tha se mazhoranca e ka autorizuar të mbështesë draft opinionin e përbashkët të OSBE ODIHR dhe Komisioni i Venecias mbi ligjin elektoral dhe praktikat elektorale. Dua të besoj se opozita e vlerëson po ashtu.

Ajo  konfirmoi se do të marrë pjesë personalisht në seancën plenare për këtë çështje në Komisionin e Venecias dhe do të mbështesë këtë draft opinion të përbashkët të këtyre dy institucioneve.

“Ky është një qëndrim koherent i mazhorancës, i përsëritur shumë herë gjatë dy viteve të kaluara.

Anëtarët e delegacionit të PE-së thanë  se “Kemi arsye të besojmë se për Shqipërinë do ketë gjuhë pozitive.

Zhvillimet pozitive ekonomike në Shqipëri në këtë kohë të një krize të paprecedent në eurozonë , ju japin  mundësi të mëdha. Roli juaj dhe i Shqipërisë në rajon janë fondamentale për ne.

Procesi i zgjerimit të BE-së, thanë ata, është i papërfunduar dhe pa anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ky proces nuk do të ishte i mbyllur. Parlamenti Europian ka qenë dhe mbetet një mbështetës i fortë i zgjerimit të BE-së.

© Panorama.al

Te lidhura