Boshtinaru: Po mbështetëm një palë mund të ketë luftë civile.
Parlamenti Europian diskuton ashpër në lidhje me situatën e krijuar në Shqipëri pas procesit zgjedhor të 8 majit. Delegacioni për Ballkanin, i cili vëzhgoi edhe zgjedhjet në Shqipëri, foli mbi standardin e zgjedhjeve duke u përqendruar kryesisht në rezultatin e Bashkisë së Tiranës. Kreu i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, tha se Shqipëria është në ngërç politik dhe se zgjedhjet e fundit nuk ndihmuan që ta kalojë atë. “Kam frikë dhe jam i shqetësuar se këto zgjedhje nuk do ta ndihmojnë Shqipërinë që të kapërcejë ngërçin politik. E di që ngjan pesimiste. Skenari më i keq do të ishte vazhdimi i bllokimit politik”, deklaroi Kukan. Kreu i Delegacionit, duke folur në lidhje me shpalljen e rezultatit në Tiranë, u shpreh se pjesa ligjore lë vend për pikëpyetje. “Pjesa ligjore e bërthamës elektorale përfundimisht ngre disa pikëpyetje, por kjo u duhet lënë ekspertëve dhe institucioneve përkatëse. Por, stabiliteti apo destabiliteti i vendit do të jetë në duart e partive politike dhe udhëheqësve të tyre”, deklaroi më tej Kukan.
I ashpër ka qenë eurodeputeti i majtë dhe zv.kreu i Delegacionit, Viktor Bostinaru. “Vazhdimi i mbështetjes së pakushtëzuar ndaj njërës palë do të na bënte të inkurajonim palën tjetër që të përshkallëzonte edhe më shumë, e të kishim më pas dhunë, për të mos thënë luftë civile”, u shpreh ai. Delegacioni i posaçëm vëzhgues për 8 majin raportoi në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, ku u debatua për standardet e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Gjatë debatit u diskutuan problematika si vota familjare, boja matrikuluese, problematika e rezultatit paraprak e atij përfundimtar të KQZ-së mbi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, nga fletët e paqarta të votimit deri te presionet dhe tensionimi i situatës. “Në disa raste vërejtëm votë familjare. Ne gjithashtu patëm përvojën e vonesave në hapje të qendrave të votimit dhe konfuzion në mbylljen e tyre”, tha Kukan. Bostinaru kritikoi më tej procesin për rezultatin në Tiranë. “Qeveria nuk kërkoi që të hapeshin kutitë për të gjitha qendrat e votimit në Tiranë, por vetëm disa prej tyre, madje më pak se kaq. U hapën vetëm ato kuti ku pretendohej se do të mbizotëronin fletët për vetëm një parti. E këtu dua t’ju bëj të qartë se procedurat janë tërësisht pa precedent. Pse? Sepse vetëm në një qendër votimi janë gjetur më shumë se 200 fletë votimi që kapërcejnë numrin e votuesve. Si ndodh kjo? Çfarë lloj mrekullie ndodhi në Tiranë?”, u shpreh më pas Bostinaru.
IOANNIS
Të djathtët në PE u shprehën se eurodeputetët nuk duhet të bëhen palë. “Unë nuk mendoj se i shërbejmë ndonjë qëllimi nëse bëhemi gjyqtarë në favor të njërës palë apo tjetrës. Po bëmë këtë, atëherë do t’i hedhim benzinë zjarrit. Diskutimet pse tani kështu e pse atëherë ashtu për hapjen e kutive të votimit, duhet t’i lëmë mënjanë për autoritetet e duhura të drejtësisë. E, shpresoj shumë që të paktën sistemi gjyqësor, të paktën, funksionon në Shqipëri. Përndryshe, përse të flasim ne për kandidaturën në Bashkimin Europian”, tha Kasoulides Ioannis, nënkryetar i PPE-së.
Chountis: Zgjedhjet i hodhën benzinë zjarrit
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti Nicolaos Chountis, paralajmëroi një krizë të rëndë për Shqipëri për shkak, sipas tij, të mbivendosjes së krizës politike me atë ekonomike. “Këto zgjedhje nuk e holluan aspak krizën politike, përkundrazi, i hodhën benzinë zjarrit, siç e tha dhe zoti Kukan. E ardhmja nuk duket rozë. Ka dhe një krizë ekonomike. Shqipëria po paguan e do të paguajë kostot e krizës ekonomike brenda vendit e të fqinjëve të saj dhe duke i shtuar krizës politike dhe atë ekonomike, gjykoj se kombinimi do të jetë shpërthyes”, theksoi Chountis. Në lidhje me procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, eurodeputeti Nicolaos Chountis u tregua sërish kritik ndaj tyre. “Dëgjuam për dhunim të ligjit zgjedhor në Shqipëri. E ky është vetëm një aspekt i problemit. Por, në anën tjetër, ka pasur dhe ka rrezik në pjesë të tjera të procesit, çfarë nuk na mundëson që të kemi një rezultat përfundimtar të besueshëm”, shtoi Chountis.
Mblidhet Delegacioni për Europën Juglindore
Delegacioni për Europën Juglindore në Parlamentin Europian do të mblidhet ditët në vijim, në lidhje me situatën në rajon, duke u ndalur veçanërisht në situatën paszgjedhore në Shqipëri. Ky delegacion, i drejtuar nga eurodeputetja gjermane, Doris Pak, do të diskutojë në lidhje me zgjedhjet e 8 majit si dhe qëndrimin e Delegacionit në lidhje me këto zgjedhje. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Parlamentit Europian, Delegacioni do të diskutojë edhe në lidhje me bisedimet mes Kosovës e Serbisë, por edhe për zgjedhjet që pritet të mbahen në ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Grosruk uron Berishën për fitoren e Bashës

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, i cili vlerësoi procesin zgjedhor të 8 majit. “Zoti Grosruck, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, e uroi kryeministrin Berisha për fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që ai drejton në zgjedhjet 8 majit, në veçanti për fitoren e koalicionit ‘Aleanca për qytetarin’, e të kandidatit të tij zotit Lulzim Basha në Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur njëkohësisht se këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar. I njëjti njoftim thotë se më tej, Grosruk dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak, vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet. Grosruk u takua edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topallin.
© Panorama.al











