Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit shqiptarë që të jenë pjesë e një dialogu konstruktiv për të ardhmen e vendit.
BRUKSEL- Në një deklaratë për shtyp të zotit Kukan, me rastin e fillimit të sesionit të ri në parlamentin shqiptar, thuhet se “Parlamentarët shqiptarë duhet të demonstrojnë gatishmërinë e tyre për t’i bashkuar përpjekjet me qëllim për të miratuar legjet që kërkohen për integrimin e vendit në Bashkimn Evropian”
Kukan ka përshëndetur vendimin e opozitës për të rifilluar aktivitetin e tyre parlamentar, duke e konsideruar vendimin e tyre, “një hap pozitiv drejt normalizimit të dialogut politik në vend”
“Të gjitha forcat politike duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar 12 prioritetet e ngritura nga Komisioni. Si prioritet, të gjitha partitë duhet të punojnë në mënyrë efikase për reformën zgjedhore në mënyrë që të garantojnë një kornize të miratuar bashkarisht dhe efektive zgjedhore në të ardhmen.”- thuhet në deklaratën e Kukan.
Sipas tij, përparimi i vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian është në duart e liderve politikë shqiptarë të cilët duhet të gjejnë konsensus të qartë për axhendën evropiane.
© Panorama.al











