Kujtim Gjonaj, një kalorës i dokumentarit

Dec 12, 2011 | 14:06
Kujtim Gjonaj

Në ditën që Arkivi Qendror i Filmit i dedikoi regjisorit të njohur Kujtim Gjonaj, në kuadër të 65-vjetorit të lindjes, mes miqsh, kolegësh u risoll edhe një herë në vëmendje të të pranishmëve krijimtaria e tij. E kam mik të vjetër Kujtimin. Jemi njohur gjatë punës krijuese në Kinostudion ‘Shqipëria e Re’. Është brezi i krijuesve të vitit ’70-të, kur letërsia, arti e sidomos kinematografia kalonin sprova të mëdha. Kujtimi hyn si kalorës në tema të rëndësishme historike e të traditës kulturore-artistike. Spikat qysh në filmat e parë të tij për një konceptim liriko-dramatik të theksuar. Frymëzohet nga dy gurra burimore: historia dhe arti i popullit. Në vitin 1990, me filmin dokumentar ‘Kështjella e Këngëve’ merr kupën e festivalit të VIII të Filmit Dokumentar, duke u radhitur në krijues dinjitozë të një zhanri filmi që lë gjurmë të veçanta për brezat që vijnë. Këtij filmi tepër të suksesshëm i kishin paraprirë dokumentarë me trajtesa po aq emocionale dhe të realizuara suksesshëm, si “Vëllezërit Topull”’, “Se u mbushën malet plot me partizanë”, “Arti shqiptar në mesjetë”, “Kryengritjet e mëdha” (film i vlerësuar me çmim të dytë për skenarin në konkursin kombëtar të vitit 1981) apo “Më e madhja dashuri”, vlerësuar si filmi më i mirë i vitit 1986.
Dhe kalojnë vite të gjata krijimtarie, ku Kujtimi shkëlqen si krijues, veçanërisht në dekadat e demokracisë. Filmat e tij “Drejt Evropës” (1991) dhe “Shembja e Idhujve” (1993) janë dy filma dokumentarë ku shpërthen një akumulim i gjatë artistik, ngjizur me mendim të thellë filozofik. Ëndrra e shqiptarit për të hyrë në Europë, trajtohet si një ndjesi e brendshme dhe e kahershme e një populli të lashtë, që ka aspiruar në shekuj më të mirën, por që historia i kishte vënë pranga e pengesa të padëshirueshme.
Filmi “Shembja e Idhujve” i vlerësuar me çmim special edhe në Festivalin e V Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Palermo të Italisë, është një film shkollë, për të mos rënë në gabime historike, për të mos idealizuar figurat udhëheqëse, për të shkuar drejt majave të zhvillimit shoqëror me ritme të botës së qytetëruar europiane e botërore.
Tema historike është shtylla kryesore e krijimtarisë së tij të suksesshme si skenarist e regjisor i filmit dokumentar. Figurat historike, si Nënë Tereza, Ali Pashë Tepelena, Jeronim de Rada, Faik Konica, do të sjellin në vitet 2000 filma të spikatur me vlera të veçanta artistike e emocionale. Kujtojmë titujt aq domethënës: “Gjaku ynë i shprishur”, “Në gjurmë të një historie”, “Ditët e fundit të një luani”, “Enciklopedia që ecte më këmbë”, “Nënë  Tereza” etj. Dhe figura e regjisorit Gjonaj, si krijues i shquar e pasionant, ngrihet në lartësi të reja kur shikon kuadrot e filmit “Ëndrra e Çamërisë”, një film epope për një popull të sfilitur nga stuhitë e ngjarjeve të padëshirueshme e të dhimbshme të shkuljes nga trojet e veta. Regjisori Kujtim Gjonaj dhe autori i skenarit, Enver Kushi, që vjen nga ky gjak i shprishur, krijojnë një simbiozë unike, për të përçuar te spektatori emocione të mëdha, prekëse, me fakte dhe fate konkrete njerëzish që historia i hodhi larg trojeve të veta. Është emocion i plotë artistik që të krijon një vepër e vërtetë artistike që e bëri jurinë e çmimeve të fundvitit “Kult” ta përcaktonte si filmin më të mirë dokumentar. Është ky pasion i veçantë për filmin që nuk e le për asnjë çast krijuesin e apasionuar Kujtim Gjonaj, që si skenarist, regjisor, publicist e producent të marrë vlerësime nga më dinjitozet nga kineastë, miq e shokë në 65-vjetorin e lindjes:
“Një ndër më të shquarit dokumentaristë shqiptarë të brezit të viteve ’70, që me krijimtarinë e tyre sollën një frymë të re në dokumentaristikën shqiptare”, do ta vlerësonte regjisori i shquar i filmit shqiptar, Artisti i Popullit, Kristaq Dhamo, në një nga referencat e veta. “Një regjisor pasionant e shpirt artistik të thellë, që ndërthur bukur të vërtetën faktike me atë artistike, duke na dhuruar emocione të thella e të pakrahasueshme”, tha ndër të tjera artistja e shquar Margarita Xhepa. Ndërsa shkrimtari dhe skenaristi Enver Kushi do ta quante: “Një regjisor i madh që di të depërtojë mjeshtërisht në shpirtin e njerëzve të thjeshtë”. “Kujtim Gjonaj” nuk është vetëm një emër i shquar në filmin dokumentar, ai është një kambanë e fuqishme me jehonë të thellë në historinë e filmit dokumentar”, theksoi në fjalën e tij skenaristi Ilia Dede. E duke vijuar me vlerësime të shumta që s’kishin të mbaruar në këtë përvjetor festiv nga skenaristë, regjisorë, operatorë e kritikë arti, unë si një njohëse e mirë e veprës së kolegut tim Gjonaj, do të thosha pa asnjë mëdyshje se ai vijon me dinjitet e nivel të lartë profesional traditën më të mirë të regjisorëve të shquar Keko, Dhamo e Gjika për filmin dokumentar. Edhe si botues, tashmë shtëpinë e librit dhe të filmit “Bota Shqiptare” e drejton Genti, i biri, përpiqen t’i sjellin lexuesit vlerat më të arritura të letërsisë klasike dhe asaj bashkëkohore. Filmi dhe libri janë të binjakëzuar qysh në zanafillë, nuk mund të ekzistojnë pa njëri-tjetrin.

Angjelina Xhara – Papalilo

© Panorama.al

Te lidhura